Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë për të vendosur një prani të përhershme të CIA-s në Venezuelë pas rrëzimit të ish-presidentit Nicolas Maduro, shkruan CNN.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së do të ketë një prani diplomatike të spikatur dhe afatgjatë në vend. Megjithatë, administrata Trump ka të ngjarë të mbështetet shumë te CIA, duke pasur parasysh procesin e vazhdueshëm të tranzicionit politik dhe situatën e paqëndrueshme të sigurisë, theksohet më tej në  raportin e publikuar nga CNN.

“CIA po punon në heshtje për të vendosur një prani të përhershme amerikane në tokën venezueliane dhe për të udhëhequr planet e administratës Trump për të ushtruar ndikimin e saj në vend”.

Sipas botimit të artikullit, qëllimet afatshkurtra të CIA-s përfshijnë, ndër të tjera ndërtimin e marrëdhënieve me udhëheqjen lokale.

Në afat të shkurtër, deri në hapjen zyrtare të një ambasade, zyrtarët amerikanë do të qëndrojnë në një degë të CIA-s. Ata pritet të fillojnë kontakte joformale me anëtarë të fraksioneve të ndryshme të qeverisë venezueliane, si dhe me figura të opozitës.

Në të njëjtën kohë, “do të synojnë palë të treta që mund të përbëjnë një kërcënim”.

“Krijimi i një aneksi është përparësia e parë. Aneksi do të ndihmojë në krijimin e kanaleve të lidhjes me shërbimet e inteligjencës venezueliane, përpara kanaleve diplomatike dhe do të hapë rrugën për bisedime”, theksoi një ish-zyrtar i qeverisë amerikane.

Mesazhi i CIA-s për Karakasin

SHBA-të dërgojnë rregullisht shefat e CIA-s ose zyrtarë të lartë të inteligjencës në takime me udhëheqësit botërorë për të diskutuar çështje të ndjeshme.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ishte zyrtari i parë i lartë i Trump që vizitoi Venezuelën që kur Maduro u rrëzua nga pushteti. Ai u takua me presidenten e përkohshme Delcy Rodriguez dhe udhëheqjen ushtarake të vendit në fillim të këtij muaji.

Gjatë udhëtimit të tij, Ratcliffe i përcolli udhëheqjes së re mesazhin se “Venezuela nuk mund të jetë më një strehë e sigurt për kundërshtarët e Amerikës”.

CIA ka të ngjarë të informojë zyrtarët venezuelianë mbi inteligjencën amerikane në lidhje me këta kundërshtarë – Kinën, Rusinë dhe Iranin – tha një burim tjetër për CNN.

Roli i shërbimit para dhe pas

Sipas CNN oficerët e CIA-s ishin në terren në Venezuelë muaj para operacionit që synonte Maduron, raporton rrjeti amerikan i lajmeve.

Në gusht, agjencia kishte instaluar fshehurazi një ekip të vogël për të monitoruar lëvizjet e Maduros, nënvizohet në raport.

Vendimi politik i qeverisë për të mbështetur Rodriguezin në vend të udhëheqëses së opozitës Maria Machado u ndikua gjithashtu nga analiza sekrete e CIA-s mbi implikimet afatshkurtra të largimit të mundshëm të Maduros, edhe atëherë, sipas CNN.

Mbetet për t’u parë se si do të reagojë populli venezuelian ndaj një pranie më të hapur të CIA-s në vend pas përmbysjes së Maduros.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: