Trajneri i Napolit, Antonio Conte bëri komentin e tij para sfidës ndaj Chelseat në Champions.
“A tha Spalletti se Napoli është ish-kampion i Italisë? Pas ndeshjes, unë preferoj të largohem, nuk shkoj të shoh çfarë thonë trajnerët e tjerë. Nuk e kuptova çfarë tha Spalletti. Duhet të tregojmë respekt, ende e kemi titullin në fanellat tona. Nuk do ta kisha thënë kurrë këtë. Spalletti është një trajner i shkëlqyer, por ai duhet të jetë më i kujdesshëm kur flet. Kanë mbetur edhe 16 ndeshje për t’u luajtur, ai tashmë na e ka hequr titullin, ne duhet të tregojmë respekt!”.
“Nesër do të kemi një stadium plot, tifozët do të duhet të ndiejnë se çfarë do të thotë të luash në Maradona, dhe ne do të duhet të japim gjithçka për të kapërcyer pengesën”, shtoi Conte.
Për kundërshtarin: “Nëse keni mundësinë të shpenzoni ndoshta 120-130 milionë euro për lojtarë 22-vjeçarë… Mendoni vetëm për Caicedon dhe Fernandezin për 250 milionë euro. Kushdo mund të nënshkruajë Estevaon për 60 milionë euro… Do të doja të bëja të njëjtën gjë me presidentin tim, por vetëm disa klube mund ta bëjnë. Në Itali, nuk mund të bëhet, nga askush”.
“Po flasim për netët e Ligës së Kampionëve, do të përballemi me një ekip të fortë si Chelsea dhe padyshim që do të jetë një ndeshje e shkëlqyer dhe emocionuese”, vazhdoi Conte. “Pata kënaqësinë ta stërvis Chelsean për dy vjet dhe arritëm sukses duke fituar Premier League dhe Kupën FA. E njoh vizionin e klubit. Po hyjmë në këtë ndeshje me dëshirën dhe vendosmërinë e duhur, por edhe me vetëdije. E dimë që po luajmë për gjithçka në këtë ndeshje dhe nesër në mbrëmje do të duhet të japim gjithçka, duke u larguar nga stadiumi me kokën lart. Pastaj do të shohim se cili është rezultati dhe nëse mund të arrijmë në fazën eliminatore”.
