Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, e ftuar në studion e News24, ka komentuar aktualitetin politik në vend, duke theksuar se protestat e opozitës janë një mjet i domosdoshëm për kërkimin e llogaridhënies nga qeveria.

Sipas Xhixhos, në një shtet normal qeveria do të kishte rënë prej kohësh për shkak të skandaleve të shumta. “Me aferën e inceneratorëve, aferat në shëndetësi dhe me faktin që mbi 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi, kjo qeveri nuk do të qëndronte. Çdo protestë dhe çdo revoltë qytetare është për t’u përshëndetur,” u shpreh ajo.

Deputetja e PL akuzoi qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje, duke e cilësuar situatën si të dominuar nga struktura kriminale. Ajo përmendi mbrojtjen që, sipas saj, i bëhet AKSHI-t nga kryeministri dhe raste kur biznesmenë janë detyruar të tërhiqen përmes presioneve. “Rrugët e florinjta po shkërmoqen dita-ditës. Durrësi u përmbyt nga korrupsioni qeveritar, sepse është vjedhur me hidrovorin e qytetit,” deklaroi Xhixho.

Duke folur për klimën politike, ajo tha se qeveria përdor instrumente frikësimi ndaj çdo zëri kritik, ndaj kërkohet një qëndresë e vazhdueshme dhe protesta kombëtare, të cilat, sipas saj, japin efektin e tyre. “Çdo mënyrë proteste është e mundur,” shtoi ajo.

Në përfundim, Xhixho kërkoi ngritjen e një qeverie teknike, duke marrë si shembull Maqedoninë e Veriut, ku, sipas saj, gjashtë muaj para zgjedhjeve krijohet një qeveri e tillë për të garantuar një proces të ndershëm zgjedhor. “Jo si kjo qeveri që përdor çdo pushtet për të mbajtur një pushtet jo legjitim,” përfundoi deputetja e Partisë së Lirisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb