Kombëtarja shqiptare do të luajë dy ndeshje shumë të rëndësishme në fundin e muajit mars, ku do të ketë shansin e saj të artë për të shkuar në Kupën e Botës. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Poloninë në kuadër të gjysmëfinaleve të “Play Off”, e më pas do të shpresojnë për të shkuar në finale, aty ku do të kenë fituesion e çiftit Ukrainë-Suedi.
Natyrisht që për kuqezinjtë është një rrugëtim emocionues por njëkohësisht shumë i vëshiutrë, teks për të kaluiar me sukses, përveç formës shumë të mirë fizike duhet që edhe lojtarët të kenë pak fat e gjithjashtu Kombëtarja të mos vuajë dëmtimet. Por, në këtë moment gjërat po shkojnë keq për skuadrën tonë ose më saktë, në muajt e fundit nuk kanë qenë më të mirat e mundshme.
Nëse në kualifikuese ishte mbrojtja ajo që na ndihmoi të kualifikoheshim duke mos pësuar gol dhe duke e kthyer Shqipërinë në skuadër hermetike, këtë herë mbrojtja na ka “tradhtuar” duke qenë se lojtarët nuk janë në momentin e tyre më të mirë. Ismajli dhe Gjimshiti u detyruan të largohen të dëmtuar, Mitaj sërish u la në tribunë nga trajneri ndërkohë që Hysaj vazhdon të mos jetë në planet e klubet për pjesën e mbetur të sezonit. Por si është situata e lojtarëve?
ARDIAN ISMAJLI- Mbrojtësi i Torinos u largua nga fusha në ndeshjen me Komon pas 20 minutash lojë duke ndjerë një shqetësim në pjesën e pasme të kofshës. Mbrojtësi kuqezi i është nënshtruar ditën e djeshme vizitave mjekësore dhe ka rezultuar një tërheqje në atë pjesë, çka e lë Ismajlin jashtë fushave për rreth 1 muaj. Ismajli e ka vuajtur shumë pjesën e dëmtimeve në kampionatin italian, siomos pas kalimit te Torino ku shpesh herë është detyruar të mungojë për disa javë, madje në dy raste humbi edhe grumbullimin me Kombëtaren. Tashmë, te Shqipëria shpresojnë që Ismajli të arrijë të rikuperohet në kohë dhe të ketë mundësi të përgatitet fizikisht për ndeshjet e “Play Off”. Me shumë gjasa, Ismajli do të rikthehet në fushë vetëm në fundin e muajit shkurt ose në javën e parë të marsit dhe në ditët në vazhdim, do të nisë terapinë për të qenë gati sa më shpejtë.
BERAT GJIMSHITI-Kapiteni i Kombëtares u largua i dëmtuar nga Atalanta megjithatë mediat italiane raportojnë se nuk ka asgjë serioze. Gjimshiti ka njerë një shqetësim të momentit, megjithëse pritet që të rikthehet titullar në sfidën e radhës në Ligën e Kampioneve, ku Atalanta do të përballet me Union SG. Në sfidën ndaj Parmës, Gjimshiti luajti titullar por në pushimin mes pjesëve ai u zëvendësua duke mos e nisur më sfidën por nga mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë vetëm për lodhje muskulore dhe jo dëmtim. Lajmi i keq është se në muajt e fundit, Gjimshiti ka pasur disa herë dëmtime dhe është detyruar të mungojë, e madje në dy raste u kthye në fushë para se të përfundonte plotësisht fazën e rikuperimit. Tashmë, shpresohet që kapiteni të mos vuajë më nga dëmtime të tilla dhe të jetë gati për sfidat e marsit e për të shkruar histori me një kualifikim.
MARIO MITAJ– Mbrojtësi i Al Itihad po kalon një moment jo të mirë me skuadrën e tij. Pavarësisht se pak ditë më parë u rikthye si titullar nga Konseisao, Mitaj sërish përfundoi në tribunë ndeshjen e fundit. Këtë sezon, mbrojtësi i majtë është lënë disa herë jashtë skuadrës dhe nuk e ka më besimin e stafit teknik si dikur, kjo e ndikuar edhe nga rregullorja e numrit të të huajve por njëkohësisht edhe nga lëvizjet e mundshme në merkato që mund të bëjë skuadra e Al Itihadit.
ELSEID HYSAJ- Mbrojtësi shkodran është jashtë çdo plani te Lacio dhe me shumë gjasa, do të largohet para përfundimit të kontratës. Hysaj nuk po merr më minuta në kryeqytetin italian dhe një situatë e tillë, do të sillte jo pak probleme për mbrojtjen e Shqipërisë në dy ndeshjet e muajit mars, aty ku të gjithë lojtarët duhet që të japin më shumë se 100% nga vetja e tyre, në mënyrë që të tentojnë kualifikimin.
