Anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Alfred Muharremi, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar incidentin e ndodhur gjatë protestës së fundit të opozitës, ku një i mitur u shoqërua nga policia.
Muharremi e cilësoi të papranueshëm dhe të rëndë përdorimin e të miturve në protesta, duke theksuar se fëmijët nuk duhet të përfshihen në akte dhune. Sipas tij, një i mitur, i cili duhet të jetë pranë familjes dhe në kushte të përshtatshme për moshën, është përdorur për të hedhur gurë dhe mjete djegëse drejt policisë dhe objekteve shtetërore.
Ai tha se në një rast të tillë shoqërimi i të miturit në komisariat është pjesë e ndjekjes së protokollit ligjor. Muharremi mohoi akuzat e opozitës për ushtrim dhune ndaj të miturit, duke deklaruar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se rasti është politizuar.
Sipas tij, në momentin që një i mitur përfshihet në veprime të tilla, procedurat ligjore parashikojnë ndjekje penale sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa përgjegjësia kryesore, siç u shpreh ai, bie mbi ata që e përfshijnë dhe e përdorin fëmijën në situata të rrezikshme.
