Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me të shtënat fatale të së shtunës në Minneapolis, ku 37-vjeçari Alex Pretty u qëllua për vdekje nga agjentë të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE). CNN ka publikuar raportin e parë të përgatitur nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe dërguar në Kongres. Sipas dokumentit, që bazohet në hetimin e brendshëm të Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare (CBP), një nga oficerët bërtiti vazhdimisht “ai ka një armë!” pak çaste para se dy agjentë të hapnin zjarr ndaj Pretty-t, ndërsa po përpiqeshin ta rrëzonin në tokë për ta arrestuar.

“Oficerët u përpoqën të arrestonin Pretty-n, i cili rezistoi dhe pasoi një përleshje,” thuhet në raport. Gjatë këtij momenti, një agjent i Patrullës Kufitare bërtiti disa herë se 37-vjeçari ishte i armatosur. Rreth pesë sekonda më vonë, një agjent qëlloi me pistoletën e tij Glock 19, ndërsa një oficer tjetër i CBP-së hapi zjarr me një Glock 47, të dy armë të lëshuara zyrtarisht nga agjencia.

Raporti nuk specifikon nëse plumbat e qëlluar nga të dy oficerët e goditën drejtpërdrejt Pretty-n. Megjithatë, ai nënvizon se po ngrihen pikëpyetje serioze mbi momentin e përdorimit të armëve, pasi pamjet video që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë një oficer duke i hequr armën Pretty-t nga brezi përpara se të shtinte.
Ky incident po hetohet nga disa institucione, përfshirë Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së dhe Byronë e Hetimeve Penale të Minesotës. Raporti i publikuar tani nga CBP-ja është i pari dokument zyrtar që bëhet publik në kuadër të këtij hetimi.

Sipas raportit, pas të shtënave një oficer i Patrullës Kufitare deklaroi se kishte marrë armën e Pretty-t dhe e kishte larguar nga vendngjarja, duke e vendosur në automjetin e tij. Oficerët thuhet se i ofruan ndihmën e parë 37-vjeçarit, duke i grisur rrobat dhe duke i vendosur fasha në plagët në gjoks, përpara se të dërgohej me urgjencë në spital.

Ngjarja nisi pak më herët, kur një oficer i Patrullës Kufitare tentoi të largonte dy gra që po fishkëllenin në rrugë, por ato refuzuan të lëviznin. Njëra prej tyre vrapoi drejt një burri, i identifikuar më vonë si Alex Pretty. Sipas raportit, Pretty rezistoi ndaj arrestimit dhe oficerët u përpoqën ta neutralizonin.
Rreth më shumë se 10 minuta pas incidentit, shërbimet e urgjencës mjekësore të Departamentit të Zjarrfikësve e transportuan Pretty-n në një qendër mjekësore lokale, ku ai u shpall i vdekur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: