Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për një strategji të qëllimshme zvarritje të drejtësisë në rastin e Belinda Ballukut, të cilën SPAK kërkon ta arrestojë për aferën e tenderave.
Në një reagim, Hoxha u shpreh se i ashtuquajturi “skenar stabilokratik” është shtyrë për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk arriti të merrte një vendim me shumicë, çka solli edhe shtyrjen e procesit të parashikuar për sot në Komisionin e Mandateve. Sipas tij, loja kundër drejtësisë nuk është e njëanshme dhe përfshin aktorë të ndryshëm institucionalë.
Hoxha theksoi se kryeministri Rama ka vetëm një plan, mbrojtjen e vetes dhe pushtetit të tij.
“Në Shqipëri po u ofrohet qytetarëve një realitet hipokrit, ku vjedhja dhe mashtrimi përsëriten në mënyrë ciklike. Kjo nuk është më krizë politike, por një strategji për të zvarritur drejtësinë dhe për të mbajtur pushtetin me çdo kusht”, përfundoi Hoxha.
Reagimi
Skenari stabilokratik u shty sepse Gjykata Kushtetuese nuk arriti të dilte mbrëmë me një vendim shumice. Kjo bëri që teatri i përgatitur për sot në Komisionin e Mandateve të shtyhet deri pas vendimit të Kushtetueses. Loja anti drejtësi nuk është një tango që kërcehet vetëm, por kjo është një temë tjetër.
Tani për tani Rama ka vetëm një plan: veten e tij. Ai pranon dorëheqjen e Ballukut, por jo arrestimin e saj. Synimi i tij është që Gjykata Kushtetuese të votojë kundër kërkesës së SPAK për pezullim nga detyra dhe menjëherë pas vendimit të pranojë dorëheqjen e Belinda Ballukut. Në thelb kjo do të shitej si një akt që gjoja lehtëson punën e drejtësisë, ndërkohë që kërkesa e SPAK paraqitet publikisht si e pajustifikuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Ky teatër bëhet edhe më i neveritshëm kur, përballë skandalit që i ka kapur socialistët me presh në duar, mungon presioni publik i vazhdueshëm dhe ai zëvendësohet me reagime mujore, të pamjaftueshme për përmasat e skandalit. Në këto kushte kjo shfaqje nuk do të ketë fund nëse nuk rritet presioni i partnerëve që financuan reformën në drejtësi për të çuar përpara hetimet për korrupsionin madhor të politikës.
Ky është realiteti hipokrit që u ofrohet shqiptarëve si përditshmëri politike. Vidhen dhe mashtrohen në një cikël të vazhdueshëm. Kjo nuk është më krizë politike, por një strategji për të zvarritur drejtësinë dhe për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
