Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka bërë thirrje për protestë ditën e shtunë, më 31 janar, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë, duke akuzuar qeverinë dhe institucionet shtetërore për mungesë të marrjes së masave ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK.

Në deklaratën e tij, Lapaj pretendon se institucionet janë “të kapura nga kryeministri Edi Rama” dhe se, sipas tij, prej 52 ditësh nuk po ndërmerren hapa konkretë për dorëzimin e Ballukut para drejtësisë.

Ai krahasoi trajtimin e qytetarëve të zakonshëm me atë të zyrtarëve të lartë, duke deklaruar se për shkelje të vogla ligjore qytetarët përballen menjëherë me ndëshkime, ndërsa, sipas tij, zyrtarët e lartë nuk mbajnë përgjegjësi për abuzime me fondet publike.

Lapaj u bëri thirrje qytetarëve që të mos pajtohen me situatën aktuale dhe të marrin pjesë masivisht në protestë, së bashku me familjarë dhe të afërm, duke e cilësuar protestën si një akt qytetar kundër korrupsionit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb