Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar për kushte të paqëndrueshme atmosferike që priten gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në disa qarqe të vendit.

Sipas informacionit të siguruar nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU), parashikohen reshje shiu, lokalisht intensive, të shoqëruara me shtrëngata.

Në këtë kuadër, është kërkuar rritje e gatishmërisë nga strukturat e Mbrojtjes Civile, si dhe nga institucionet përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror, për marrjen e masave parandaluese.

Ministria u ka bërë thirrje bashkive në zonat me risk më të lartë që të forcojnë gatishmërinë operacionale dhe të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme situatën në terren, ndërsa prefekturat janë udhëzuar të përcjellin informacionin pranë bashkive dhe të raportojnë në kohë çdo situatë pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb