Bylisi është fokusuar te sfida me Dinamon e cila luhet në kryeqytet, ku ballshiotët do të jenë me skuadër të plotë. Kjo është një transfertë delikate, teksa Josa dhe stafi janë duke ideuar për lojtarët që do të hedhin në fushë ndaj bluve.
Kujtojmë që në fazën e parë, Bylisi i mori pikë Dinamos në kryeqytet. Madje bie në sy një fakt interesant se janë nga skuadrat e vetme që luajnë më mirë jashtë se brenda fushës së tyre. Ballshiotët synojnë që të ruajnë stabilitetin dhe të kenë një ecurinë pozitive afatgjatë në këtë fazë kulminante të garës. Vetëm 1 pikë në tri ndeshjet e fazës së tretë janë shumë pak, ndaj në Ballsh tashmë bëjnë llogari për sfidat e radhës.
Kalendari nuk është aspak i lehtë, por ajo që bie në sy është forma e mirë dhe gjendja fizike e skuadrës qe me Egnatian tregoi se është në harmoni të plotë. Nga ana tjetër klubi vazhdon që të shohë afrime cilësorë për të konsoliduar edhe më shumë organikën për gjysmën e dytë të sezonit. Deri më tani janë afruar dy rumunët Gurau në portë e Radu në mbrojtje, por edhe sulmuesi Charuetej në sulm.
Në klub synojnë të tjera lëvizje cilësore në hyrje, duke menduar për ekipin A dhe B. Megjithatë vëmendjen më të madhe e ka kampionati dhe sfida e radhës me blutë. Në grup ka shqetësime të lehta, por nga sa duket do të jenë të gjithë ndaj bluve.
Presidenti Besnik Kapllanaj ka kërkuar nga grupi që të ketë angazhim maksimal në sfidat e radhës të kampionatit, por edhe në Kupën e Shqipërisë që është një tjetër objektiv i Bylisit.
