Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, i shoqëruar nga një delegacion i ILD-së, zhvilloi një vizitë pune në Prishtinë, ku u takua me drejtues të institucioneve të drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe me trupën akademike të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit “Hasan Prishtina”.
Gjatë takimit me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Fejzullah Rexhepi, dhe gjyqtarin z. Qerim Ademaj, u diskutua mbi rolin dhe funksionet e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe mbi kompetencat e Gjykatës Supreme në trajtimin e ankesave disiplinore. Palët vlerësuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për promovimin e standardeve etike dhe profesionale.
Delegacioni i ILD-së zhvilloi gjithashtu një takim pune në Këshillin Gjyqësor të Kosovës me Kryesuesin z. Albert Zogaj dhe drejtues të tjerë të këtij institucioni, ku u diskutua mbi zhvillimet në sistemin gjyqësor, proceset reformuese, mekanizmat e llogaridhënies dhe mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.
Vizita përfshiu edhe Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit “Hasan Prishtina”, me të cilin ILD ka një marrëveshje bashkëpunimi që prej vitit 2022. Në takimin me dekanin z. Avni Puka dhe trupën akademike u vlerësua bashkëpunimi ekzistues dhe u diskutuan iniciativa për zgjerimin e tij në të ardhmen, në funksion të formimit të brezave të rinj të sistemit të drejtësisë.
