Vëmendja nga Uashingtoni do të jetë e përqendruar sot në Pekin, ku kryeministri britanik Keir Starmer do të zhvillojë një vizitë zyrtare dhe do të takohet me presidentin kinez.

Ndryshimet e shpejta në politikën e jashtme amerikane, ndërsa administrata Trump “zbërthen” shtyllat kryesore të strategjisë së jashtme amerikane në dekadat e fundit, kanë krijuar një boshllëk në tabelën gjeopolitike të shahut. Pikërisht ky është boshllëku që Pekini dëshiron të mbushë.

Donald Trump po vendos tarifa, po shkurton ndihmën e jashtme të SHBA-së, po negocion në mënyrë agresive, po kërcënon me ndërhyrje ushtarake në Grenlandë. Përballë këtij imazhi, Pekini po përpiqet të paraqesë veten si aleati i qëndrueshëm mbi të cilin mund të mbështeten të ashtuquajturat “fuqi të mesme”, siç i përshkroi ato kryeministri kanadez Mark Carney në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Nuk është rastësi që Mark Carney vizitoi Kinën disa ditë më parë dhe arriti një marrëveshje për të ulur tarifat në disa sektorë. Kjo mjaftoi për të zemëruar presidentin amerikan, i cili kërcënoi produktet kanadeze me tarifa 100% nëse vendi nënshkruante një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën.

Pasi Kryeministri kanadez “hapi rrugën”, Kryeministri britanik Keir Starmer ndodhet në Kinë me një delegacion biznesmenësh britanikë për marrëveshje tregtare dhe ekonomike. Pavarësisht reagimeve që has brenda Britanisë, Starmer dëshiron të njihë disponimin e Pekinit, të lidhë marrëveshje tregtare duke shmangur shqetësimin e Uashingtonit.

Edhe pse e bëri të qartë se nuk do të zgjedhë midis Kinës dhe SHBA-së, vizita e një kryeministri britanik pas 8 vitesh dhe ringjallja e marrëdhënieve Londër-Pekin kanë një rëndësi të madhe në kontekstin aktual gjeopolitik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb