Mblidhet sot në orën 12:30 Konferenca e Kryetarëve në lidhje me shqyrtimin e projekt programin e projekt kalendarin e Kuvendit për muajin shkurt.

Gazetari Ergys Gjençaj raporton se pika e katërt e Rendit të Ditës është ajo që mund të shkaktojë përplasje. Bëhet fjalë për miratimin e kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrative dhe Territoriale.

Komisioni ishte parashikuar të kishte 2 bashkëkryetarë, por bojkoti i opozitës solli reflektim të socialistëve, të cilët kërkojnë tashmë ndryshimin e përbërjes, me qëllim vijimin e punës në komision.
Socialistët kërkojnë ndryshimin e përbërjes, nga 16 anëtarë me 17 deputetë ku mazhoranca të ketë shumicën.

Pra PS të ketë 9 deputetë, ndërkohë opozita 8 deputetë. Kërkesa thekson se kryetari do të jepë përfaqësues i PS ndërsa nënkryetari të jetë i opozitës.

Debate dhe tension pritet të ketë në Konferencën e Kryetarëve edhe në lidhje me vendimin e marrë ditën e djeshme nga kreu i Kuvendit Niko Peleshi, për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e mandatit të zëvendës kryeministres Belinda Balluku, çka i hap më tej rrugë arrestimit të saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb