Policia e Elbasanit ka njoftuar se ka nisur procedimin penal për shtetasin Mariglen Hasa, administrator i kompanisë “Maresh SHPK”.

Në njoftimin shpërndarë për mediat sqarohet se kjo kompani, e cila ka si objekt grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve me përmbajtje metalike, nuk ka zbatuar ligjin dhe detyrimet, duke mos i trajtuar mbetjet sipas rregullit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M. H., 38 vjeç, banues në Elbasan. Në subjektin që ai administron, për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve me përmbajtje metalike, gjatë kontrollit të ushtruar në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, u konstatuan mbetje që nuk ishin trajtuar sipas legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara nga grupi i inspektimit, subjekti u ndëshkua me masë administrative 2 000 000 lekë”, thuhet në njoftim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb