Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi është ndalur tek reforma territoriale, duke thënë se opozita gjithmonë ka bërë thirrje për të gjetur mekanizma dialoguese, duke ndjekur vlerat e rregullat e BE.
Gjithashtu ka shtuar se nuk kanë bojkotuar asnjë mbledhje dhe se dy datat që ishin përcaktuar për zhvillimin e saj, anëtarët tanë nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera të mëparshme. Kjo , thekson Bardhi nuk përbën bojkot, por mungesë fizike për arsye objektive dhe të justifikuara.
“Ne ju themi se duhen procese konsensuale, hajdeni të gjejmë mekanizma dialogu, nën frymën e rekomandimeve të BE-së. Ju thoni: jo! Hajdeni këtu, flisni kot, ne do të bëjmë çfarë të duam. Për çfarë ju duhet opozita në tryezë? Për të shitur ju fasadën sikur çdo gjë funksionon normalisht. Jo, nuk është asgjë normale! Ju e dini këtë dhe çdo mik i yni ndërkombëtar e di. Në gjithë sjelljen tuaj keni bërë të kundërtën e asaj që keni thënë publikisht për konsensus dhe konstruktivitet. Ju nuk keni qëllim qytetarët, por hartën elektorale. E bëtë këtë në vitin 2014 dhe e pamë se çfarë bëtë, duke shkatërruar pushtetin vendor dhe duke dëmtuar qytetarët. Ne nuk kemi bojkotuar mbledhje. Në dy datat që ishin përcaktuar për zhvillimin e saj, anëtarët tanë nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të tjera të mëparshme. Kjo nuk përbën bojkot, por mungesë fizike për arsye objektive dhe të justifikuara”, shtoi ai.
