Partia Socialiste i ka dhënë PD-së atë që e cilëson si mundësinë e fundit për të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Territoriale. Burime parlamentare bëjnë me dije për gazetarin Ergys Gjençaj se të hënën pritet të mblidhet komisioni, dhe pjesëmarrja e deputetëve të PD-së do të jetë vendimtare për vijimin e procesit.
Sipas PS-së, nëse deputetët e Partisë Demokratike marrin pjesë në mbledhjen e komisionit, atëherë çdo kërkesë për ndryshime në përbërjen e tij do të konsiderohet e pavlefshme dhe do të rrëzohet. “Mbledhja e radhës së Komisionit të thirret ditën e hënë. Nëse opozita bojkton edhe mbledhjen e ditës së hënë, atëherë në seancë do vendosim mekanizmin zhbllokues. Reforma do të bëhet doni apo nuk doni ju.”, -mësohet të jetë shprehur Taulant Balla.
Mazhoranca argumenton se bojkoti i deritanishëm i opozitës nuk mund të përdoret si justifikim për bllokimin e reformës, ndërsa thekson se procesi duhet të ecë përpara në respekt të afateve dhe përgjegjësive institucionale.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka kërkuar më herët rishikim të përbërjes së komisionit, duke e cilësuar atë si të njëanshëm dhe pa garanci për një proces gjithëpërfshirës. Mbledhja e së hënës pritet të jetë vendimtare për fatin e reformës territoriale dhe për raportin politik mes mazhorancës dhe opozitës në këtë proces.
