Dy të plagosur me thikë u raportuan në Sarandë pas një sherri mes disa personave.
Të plagosur mbetën Enea Qorri dhe Arnest Gjoncaj. Policia e Sarandës ka bërë një reagim zyrtar duke njoftuar se janë vënë në pranga dy persona 24 dhe 27 vjeç. Ndërsa është shpallur në kërkim Florian Gjoncaj.
Këta shtetas kanë shkuar në banesën e personave të plagosur dhe kanë goditur me sende të forta, shkopinj e thikë Enea Qorri dhe Arnest Gjoncaj dhe një person tjetër. Të plagosurit janë në spital dhe po marrin trajtim mjekësor jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi:
Për motive të dobëta, dëmtuan me sende të forta dhe me mjet prerës, 2 shtetas. Arrestohen 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1.
2 të dëmtuarit janë jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas njoftimit të marrë në orët e para të mëngjesit të sotëm, për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në lagjen “Baba Rexhep”, Sarandë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u arrestuan shtetasit M. H., 24 vjeç dhe Xh. S., 27 vjeç, si dhe u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. Gj..
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit A. Gj., M. H. dhe Xh. S. kanë shkuar në banesën e shtetasit B. Q., ku për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta (shkopinj) dhe me mjet prerës, shtetasit E. Q., B. Q. dhe A. Q.. Si pasojë janë dëmtuar shtetasit E. Q dhe A. Gj., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Punohet për kapjen e shtetasit F. Gj., si dhe në drejtimin e Prokurorisë, punohet për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
