Koha më e shpejtë e ditës së tretë të testi meve në Barcelonë u regjistrua nga Andrea Kimi Antoneli, me 1 minutë, 17 sekonda dhe 362 të mijtat. Piloti 19-vjeçar italian i Mercedesit e arriti këtë rezultat në mes të pasdites me goma të buta, duke marrë timonin e “W17” nga Xhorxh Rasëll. Ky i fundit kishte firmosur më herët kohën më të mirë të sesionit të paradites, por u mposht më pas nga shoku i skuadrës për 180 të mijtat e sekondës.
Pasi vendosi kohën referuese, Antoneli kaloi në goma “hard” për të vijuar punën në distancë. Mercedes shfaqet kështu që në fillim në formë shumë të mirë, jo vetëm e shpejtë, por edhe jashtëzakonisht e besueshme, siç dëshmojnë 92 xhirot e përshkuara nga Rasëll. Dita qendrore e testeve katalanase shënoi edhe debutimin në pistë të MekLaren “MCL40”, e drejtuar nga kampioni aktual i botës Lando Norris. Britaniku doli në pistë vonë paradite dhe zhvilloi një program relativisht të kufizuar edhe pasdite, duke lënë bokset vetëm në gjysmën e dytë të sesionit. Megjithatë, në fund të ditës Norris regjistroi kohën e tretë jozyrtare, me 1:18.725, pas dy Mercedesëve.
Ndërkohë, te Alpine pati ndërrim pilotësh pas pushimit të drekës: “A526”, e pajisur me motor Mercedes, kaloi nga duart e Franko Kolapintos (i dyti në sesionin e paradites dhe i katërti në renditjen finale të ditës) te Pierr Gasli. “VCARB03” Racing Bulls iu besua sërish debutuesit Arvin Lindblad, i cili u detyrua të ndalonte anash pistës për shkak të një problemi mekanik, duke shkaktuar flamurin e kuq. Më herët në mëngjes, testet ishin ndërprerë edhe nga Oliver Bearman, për shkak të problemeve elektrike me Haas “VF26” (me motor Ferrari), si dhe nga Niko Hulkenberg me Audin, i ndalur nga probleme hidraulike që e mbajtën gjatë në bokse “R26”. Piloti gjerman e mbylli ditën i fundit në klasifikim (i teti). Përpara tij, nga vendi i pestë në të shtatin, u renditën respektivisht Bearman, Lindblad dhe Gasli.
FERRARI DHE RED BULLI – Të enjten, për ditën e katërt, rikthehen në pistë Ferrari dhe Red Bulli, të vetmet skuadra që kishin qenë protagoniste të ditës së martë, një ditë e karakterizuar nga reshjet e shiut. Ndërkohë, pritet më në fund edhe debutimi i Aston Martin “AMR26” me motor Honda, e cila do të ketë në dispozicion vetëm dy nga tre ditët e lejuara të punës. Është e vështirë që “jeshilja” e skuadrës së drejtuar nga Adrian Njuei, ende në fazë montimi në bokse, të zbresë në pistë para mesditës së të enjtes, ndërsa më e mundshme mbetet një dalje vetëm në sesionin e pasdites.
