Adnard Mehmeti dhe Kamer Qaka pritet të bashkohen me grupin në seancat e fundit stërvitore para ndeshjes me Elbasanin.
Dy mesfushorët, kaluan një virozë dhe mbetën në momentet e fundit jashtë sfidës me Vllazninë të dielën. Megjithatë, Mehmeti dhe Qaka do të jenë të gatshëm dhe nën urdhrat e trajnerit Oltijon Kërnaja për sfidën e radhës, atë së shtunës në Arena e Demave përballë Elbasanit.
Mehmeti, ka qenë një prej lojtarëve stabël të formacionit të kryeqytetasve në këtë sezon duke u aktivizuar në 17 ndeshje të Kategorisë Superiore, teksa ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës në kampionat.
Nga ana tjetër, Kamer Qaka është një nga afrimet e bujshme të janarit nga drejtori sportiv, Agim Ibraimi. Ish-mesfushori i kombëtares u aktivizua në debutimin e tij me të kuqtë vetëm tetë minuta në takimin ndaj Teutës.
Megjithatë, pritet që në ndeshjet e ardhshme të marrë më shumë përsipër për t’i dhënë një “dorë” skuadrës në repartin e mesfushës me eksperiencën që ka krijuar ndër këto vite të karrierës së tij duke u aktivizuar Rumani, Hungari, Norvegji apo edhe së fundmi me Shkëndijen e Tetovës ku luajti edhe në grupet e Ligës së Konferencës.
