Presidenti serb Aleksandar Vuçiç shprehu shqetësim të enjten në lidhje me formimin e aleancave ushtarake në rajon, ndërsa më herët ai është shprehur kundër paktit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
“Ne po sillemi me përgjegjësi dhe seriozitet në këtë drejtim pa provokuar askënd, por duam të pengojmë këdo që mund të kryejë agresion kundër vendit tonë”, tha ai në një takim me shefat ushtarakë të vendit.
Sipas Vuçiç, mbrojtjet e Forcave Ajrore dhe të AN-së i kanë rritur në mënyrë drastike kapacitetet e tyre mbrojtëse dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë në vitet e ardhshme.
Shefi i Shtabit, Gjenerali Milan Mojsiloviç, raportoi në takimin vjetor rreth gjendjes së gatishmërisë në forcat e armatosura dhe rezervave materiale të kohës së luftës.
Vuçiç tha se është shumë i kënaqur me gjendjen e ushtrisë, duke shtuar se 2.65 përqind e PBB-së ishte caktuar për sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë. Ai tha se më shumë fonde u kanalizuan në mënyrë indirekte në sistemin e mbrojtjes. “Nga këto para, 54.1 përqind janë investime, 32.5 përqind janë për personelin dhe pjesa tjetër është për shpenzime operative. … Gjëja e rëndësishme është ruajtja e paqes dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është duke penguar sulmet e mundshme ndaj vendit tonë”, tha ai.
