Serbia do të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak 75-ditor. Kështu tha sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiç gjatë një takimi që zhvilloi me shtabin ushtarak në Beograd.

Vitin e ardhshëm tha presidenti serb do të nisë aplikimi i shërbimit të detyrueshëm, ndërsa prej shtatorit 2026 do të zhvillohen rekrutimet e moshave të reja.

“Ne e vlerësuam shumë pozitivisht paradën, profesionalizmin e anëtarëve të Ushtrisë Serbe vitin e kaluar, dhe diskutuam gjithashtu shërbimin ushtarak 75-ditor. Së shpejti, brenda një ose dy muajve të ardhshëm, do të marrim vendime nëse do të fillojë në dhjetor apo mars, dhe pastaj në shtator do të fillojmë regjistrimin… Nëse do të fillojë në dhjetor apo mars varet nga përgatitjet tona. Pushkët dhe çizmet janë gati, por gjithashtu duhet të pajisim njësitë mjekësore, qendrat e rekrutimit dhe regjistrimit. Duam të jemi plotësisht të përgatitur për t’u ofruar këtyre të rinjve kushtet më të mira gjatë atyre 2.5 muajve”, deklaroi ai.

Ai tha më tej se Serbia e sheh si rrezik formimin e aleancës ushtarake Tiranë-Zagreb-Prishtinë.

Presidenti serb njoftoi se shpenzimet për mbrojtjen kanë arritur shifrën rekord prej 2.65% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Duhet të pengojmë çdo sulm të mundshëm ndaj vendit tonë. Jemi shumë të shqetësuar për formimin e aleancave ushtarake në rajonin tonë kundër Serbisë dhe, në përputhje me rrethanat, veprojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, pa provokuar askënd, por duke synuar të pengojmë këdo që do të kryente agresion kundër vendit tonë”.

“Aftësitë tona mbrojtëse janë rritur në mënyrë drastike dhe dramatike dhe do të vazhdojnë të rriten në vitet në vijim”, vijoi ai.

Vuçiç foli paralajmëroi skenarë ekstremë duke thënë se Serbia ka rezerva të mjaftueshme ushqimore në rast lufte.

“Jemi në nivel të lartë gatishmërie. Furnizimet me ushqime janë në 100%. Karburanti është 140% ose 42 500 ton. Jemi gjithmonë të përgatitur të zgjasim 60 ditë pa prodhuar asnjë kg bukë dhe kemi ushqim të mjaftueshëm si për forcat aktive ashtu edhe për ato rezervë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb