Dinamo ka arritur akordin me Bylisin për transferimin e dy lojtarëve, Mustafa Malomo dhe Ajodeji Malomon, të cilët do të bashkohen me skuadrën e Dajës gjatë ditëve në vijim. Interesant është fakti se dy skuadrat do të përballen me njëra-tjetrën pasditen e së shtunës në stadiumin “Air Albania”, teksa pritet që dy lojtarët të jenë mungesa e rëndësishme e të dyja skuadrave.
Ende nuk është bërë zyrtarizimi i kalimit të dy lojtarëve në kryeqytet dhe me shumë gjasa, transferimi do të kryhet vetëm pas ndeshjes që skuadrat luajnë në shtunën, teksa në fushë pritet që të mos aktivizohen as me Bylisin. Natyrisht diçka e tillë ishte e pritshme për shkak se dy lojtarët do të jenë me Dinamon në pjesën e mbetur të sezonit dhe interesi i tyre është që Dinamo të marrë 3 pikë në garën për titullin kampion, por nga ana tjetër janë ende pjesë e Bylisit.
Nga ana tjetër, Bylisi nuk ka arsye pse të lërë dy lojtarët e lirë para ndeshjes dhe që t’i ketë kundërshtarë, megjithëse edhe koha për t’u përgatitur nuk premton. Kështu, pas ndeshjes ndaj Bylisit, trajneri Daja mund të bëjë llogaritë me dy lojtarë më shumë, që natyrisht do të shtojnë forcat në sulm. Dinamo do të paguajë kartonin e dy lojtarëve dhe do të lërë një përqindje për klubin e Bylisit në momentin e rishitjes ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur shuma për të cilën dy lojtarët do të kalojnë në kryeqytet.
Sakaq, te Dinamo po punojnë për të afruar edhe një lojtar në mbrojtje duke qenë se Maliqi që është mbrojtës i djathtë ka mbyllur sezonin edhe pse në atë krah janë ende Jorgo Meksi dhe Usni Ismaili megjithëse ky i fundit nuk ka pasur shumë hapësirë këtë sezon. Ditët e fundit të janarit, te Dinamo do të jenë intensive me skuadrën që duhet të rikthehet te fitorja pas 3 ndeshjeve pa fitore, e nga ana tjetër, drejtuesit duhet të mbyllin marrëveshjet e lëna pezull pasi merkatoja po shkon drejt fundit dhe koha nuk premton shumë.
Dinamo do të presë Bylisin në “Air Albania” ditën e shtunë, duke nisur nga ora 19:00. Këtë sezon, skuadra e Dajës nuk ka arritur të marrë asnjë fitore kundër ballshiotëve, ku të dyja ndeshjet e fazave të para janë mbyllur në barazim, me ekipet që kanë objektiva të ndryshme në këtë sezon.
