Teuta përgatitet për një nga ndeshjet më delikate të këtij momenti të sezonit. Do të përballet me Vllazninë në një duel që pritet të ketë peshë të madhe si për renditjen, ashtu edhe për aspektin psikologjik të skuadrës.

Blutë durrsake ndodhen në një periudhë jo pozitive, ku mungesa e fitoreve ka ndikuar drejtpërdrejt në objektivat e tyre, ndërsa përballë do të kenë një Vllazni që vjen me moral të lartë dhe paraqitje bindëse në javët e fundit. Ironikisht, fitorja e fundit e Teutës në kampionat lidhet pikërisht me emrin e Vllaznisë.

Në atë përballje të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, Teuta arriti të merrte tri pikë shumë të rëndësishme falë fitores 0-1, me golin e shënuar nga Beshiraj. Një sukses që në atë kohë u konsiderua si pikë kthese, por që me kalimin e javëve nuk u shoqërua me vazhdimësi në rezultate. Që nga ajo ndeshje, situata në dy kampet ka ndryshuar ndjeshëm. Teuta ka hasur vështirësi për të ruajtur stabilitetin, duke humbur pikë të rëndësishme në ndeshje ku pritej më shumë, ndërsa Vllaznia ka ditur të menaxhojë më mirë momentet e saj, duke u shndërruar në një nga skuadrat më konstante të kampionatit.

REAGIMI — Pavarësisht statistikave jo favorizuese, në Durrës nuk mungon besimi. Brenda skuadrës dhe stafit teknik mbizotëron ideja se kjo ndeshje mund të shërbejë si pikë kthese për ecurinë e mëtejshme të sezonit. Teuta është e vetëdijshme se përballja ndaj Vllaznisë nuk do të jetë e lehtë, por njëkohësisht edhe se momenti kërkon reagim të fortë, karakter dhe personalitet në fushë. Trajneri Dobi ka insistuar gjatë gjithë javës në përqendrim maksimal dhe përgjegjësi individuale, duke kërkuar nga lojtarët që të minimizojnë gabimet dhe të tregojnë më shumë vendosmëri në zonat vendimtare të fushës. Një nga problemet kryesore të Teutës në javët e fundit ka qenë konkretizimi i rasteve, element që pritet të marrë vëmendje të veçantë në këtë duel.

STËRVITJA — Një avantazh i rëndësishëm për Teutën është fakti se skuadra ka pasur një javë të plotë përgatitore, pa ngarkesa shtesë apo ndeshje të ndërmjetme. Kjo i ka dhënë mundësi stafit teknik të punojë në detaje, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë taktik. Gjithashtu, afrimet e reja kanë pasur më shumë kohë për t’u integruar me grupin, duke kuptuar më mirë skemat e lojës dhe filozofinë e trajnerit. Ky proces pritet të reflektohet në rritjen e konkurrencës brenda skuadrës dhe në shtimin e alternativave gjatë ndeshjes. Një tjetër lajm pozitiv për kampin durrsak është rikthimi i grupit të plotë.

Teuta do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët për këtë sfidë, çka i jep më shumë opsione trajnerit Dobi në ndërtimin e formacionit titullar. Lojtarë si Përgjoni, Kotobelli dhe Jurgens janë tashmë gati për të dhënë kontributin e tyre maksimal. Prania e tyre rrit cilësinë në repartet përkatëse dhe sjell më shumë ekuilibër në lojën e skuadrës. Në stafin teknik shpresohet që kjo plotësim i organikës të sjellë edhe stabilitetin e munguar në ndeshjet e fundit.

NJË DUEL ME PESHË TË DYFISHTË – Përballja ndaj Vllaznisë nuk është thjesht një ndeshje kampionati për Teutën. Ajo përfaqëson një test karakteri, një provë për të treguar nëse skuadra është e aftë të reagojë në momente të vështira. Një fitore do të sillte jo vetëm tri pikë jetike në renditje, por edhe një injeksion të fortë besimi për vazhdimësinë e sezonit. Nga Vllaznia te Vllaznia, Teuta shpreson që historia të përsëritet dhe që kjo përballje të shënojë fillimin e një kapitulli të ri, me rezultate më pozitive dhe ambicie të rritura për javët në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb