Ushqimi për foshnja “Aptamil 1 Pronutra”, është hequr nga tregu, pas një vendimi të marrë nga Agjencia e Kontrollit të Ushqimit.
Kjo pasi në një seri të këtij produkti, është identifikuar prania e substancës Cereulide.

Në një njoftim, biznesi distributor i shpërndarjes së produktit në treg, njofton qytetarët që kanë blerë qumësht Aptamil 1 Pronutra, të mos e përdorin atë dhe ta kthejnë në pikat e shitjes duke u rimbursuar.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informoi opinionin publik më 22 janar mbi njoftimin me numër reference 2026.0663 të ardhur nga Sistemi RASFF.
Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant. Të dhënat e produktit:
Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED; Numri i artikullit 172911; Data e Skadencës: 10/11/2026
Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.
AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

