Analisti Genc Burimi e ka konsideruar momentin ku ndodhet sot Shqipëria, si një nga krizat më të thella që në vitin 2013.
Shkak për këtë është bërë situata me drejtësinë dhe konkretisht çështja “Balluku”, e cila sipas tij “kërcënon” pozicionin e kryeministrit, aq më tepër nëse zëvendës kryeministrja nxjerr fakte që aferat janë bërë me “bekimin” e kreut të qeverisë, çka do të ishte dhe fundi i Ramës.
“Jemi në momentin e krizës më të thellë që po përjeton Shqipëria që në 2013. Ka patur edhe më parë dyshime apo kontestime të drejtësisë së re nga ana e opozitës, por këtë herë kontestimi dhe bllokimi i drejtësisë vjen nga mazhoranca dhe kjo nuk ka precendent në Europë, ku Shqipëria kërkon të hyjë. Kjo ka vënë edhe Europën në një situatë aspak komode.
Dosja “Balluku” e vë Europën në pozitë aq të vështirë sa çështja e molotovit. Një kryeministër, një mazhorancë do të bëhet bllok për të mbrojtur një anëtare të Parlamentit dhe qeverisë e kërkuar nga drejtësia, kjo nuk ekziston në Europë. Europa nuk mund të rijë gjatë në këtë paradoks, aq më tepër tashmë që ka nisur një rivalitet me Amerikën e Trump sa i përket vlerave.
Sot kryeministrin Rama më shumë se SHBA dhe Europa, e shqetëson vetëm një person dhe ajo është Balluku. Nëse Balluku del para drejtësisë dhe thotë që allishverishet nuk janë bërë prej saj, Rama është i mbaruar. Ndaj është Rama sot si Makbethi në një udhëkryq të madh dhe nuk ka zgjidhje. Të prishet me amerikanet dhe europianët për Ballukun, apo kjo e fundit t’i “hajë kokën””, tha mes të tjerash ai.
