Ka përfunduar protesta kombëtare e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Kjo është protesta e katërt e kësaj lëvizjeje. Qytetarë të shumtë iu bashkuan demonstratës, duke bërë thirrje që qytetarët të bashkohen masivisht dhe të dalin në protesta masive kundër korrupsionit.

Me pankarta në duar “Edi Rama o hajdut”, “ku shkuan miliardat e vjedhur”, “Edi Rama je bo bajat”, ishin mesazhet kryesore. Të shumtë ishin edhe shqiptarë nga Diaspora në këtë protestë.

Ndërsa në mesazhin e tij Adriatik Lapaj, drejtuar qytetarëve  ka dhënë mesazhe të qarta në fjalën e tij të mbajtur gjatë protestës kombëtare para Kryeministrisë.

Lapaj renditi skandalet e qeverisë Rama që nga afera e Ballukut deri te AKSHI, duke thënë se çfarë arsyesh duhen më shumë për ta rrëzuar këtë qeveri…

“Për çfarë mund të rrëzohet një qeveri nëse nuk dorëzohet kur kapët duke vjedhur 53 mln euro zv.kryeministrja. Kur kapet në Pazare 100 mln euro nga AKSHI. Për çfarë, nuk largohet  një qeveri kur këta detyrojnë të rinjtë të ikin. Çdo ditë që kalon forcon diktaturën e tyre, çdo skandal që ndodh e bën edhe më të pamundur rrëzimin e tyre. Ndaj mendojeni mirë…Kjo është një betejë mes një pakice që ka zaptuar zyrat dhe ndan paratë e buxhetit të shtetit, mes atyre që pinë një shishe verë 33 mijë, dhe atyre që u dridhet dora për të blerë një çokollatë për fëmijët e tyre… Kjo është një betejë mes pensionistëve që kanë punuar një jetë dhe nuk vlerësohen dhe atyre që tallen me pushime në resorte të shtrenjta”, tha Lapaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb