Ditmir Bushati e çel podcastin Public Square me një diskutim që shkon përtej inteligjencës artificiale si trend teknologjik, duke u ndalur te inteligjenca parashikuese dhe ndikimi i saj real në vendimmarrjen politike, ekonomike dhe shoqërore.
I ftuari i episodit të parë është Donald Leka, themelues i Jumptuit Group, me patentë në Inteligjencë Artificiale dhe Blockchain.
Sipas Lekës, “Inteligjenca Artificiale është një term ombrellë”, ndërsa fokusi i viteve të fundit tek Modelet e Mëdha të Gjuhëve ka nxjerrë në pah kufizime thelbësore: “ato nuk kanë lidhje direkte me botën fizike, nuk përballojnë mirë situatat e reja dhe përplasen me kompleksitetin e realitetit”. Viti 2025, thekson ai, shënon një tranzicion të rëndësishëm drejt modeleve që mbështeten në të dhëna reale dhe jo vetëm në informacion tekstual.
Lufta në Ukrainë përfaqëson, sipas Lekës, një pikë kthese për inteligjencën parashikuese. “Llogaritë për efikasitetin e sanksioneve ndaj Rusisë ishin të gabuara”, thotë ai, duke kujtuar se parashikimet për rënie të PBB-së ruse deri në 15% nuk u realizuan. Ky rast tregon nevojën për analiza të bazuara në të dhëna nga terreni: sensorë tokësorë, satelitorë, ajrorë, flukse energjetike, zinxhirë furnizimi dhe sinjale ekonomike.
Duke folur për rreziqet e IA-së, Leka thekson se “rreziku i super-inteligjencës është një ide e gabuar”, ndërsa problemi real lidhet me keqkuptimin dhe keqorientimin e investimeve. Si shembull ilustrues ai përmend Microsoft, i cili investoi rreth 14 miliardë dollarë në OpenAI, ndërsa përdorimi real i Copilot mbeti minimal. “Rreziku më i madh sot është se njerëzit nuk e kuptojnë çfarë është realisht Inteligjenca Artificiale”, nënvizon ai.
Në fund, Leka ndalet te Shqipëria, duke theksuar potencialin e saj: “Ju keni studentë të shkëlqyer, rini që flet anglisht dhe një bazë ligjore të përafruar me BE-në”. Sipas tij, sfida kryesore është krijimi i urave mes arsimit dhe tregut të punës, në mënyrë që talenti të qëndrojë në vend dhe Shqipëria të kthehet në një qendër zhvillimi për teknologjitë e reja në rajon.
