Ditën e sotme, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara me kthjellime të herëpashershme.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme dhe me intensitet të ulët, duke nisur që në orët e para të 24-orëshit fillimisht në jug të vendit dhe më pas duke u shtrirë gradualisht në pjesën tjetër të territorit. Lokalisht, reshjet mund të shfaqen në formën e shtrëngatave afatshkurtra, kryesisht gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.
Në vijim, reshjet me intensitet të ulët do të lokalizohen kryesisht në veri dhe pjesërisht në zonat malore të juglindjes. Gjatë orëve të mbrëmjes, reshjet e shiut do të ndërpriten në të gjithë territorin.
Në zonat malore mbi 900–1000 metra në verilindje dhe juglindje, parashikohen reshje bore me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar, kryesisht në juglindje.
Era do të fryjë nga drejtimi verilindje–lindje me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë deri në 17 m/s.
Valëzimi në det do të jetë i forcës 2–3 ballë.
