Qarkullimi i automjeteve në aksin Librazhd-Qafë Thanë mbetet i bllokuar pas rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh në vendin e quajtur Dragostunjë.
Shembja zuri të gjithë gjerësinë e rrugës dhe bëri të pamundur kalimin e mjeteve, ndërsa trafiku është kilometrik në të dy anët.
Situata ka shkaktuar probleme të tjera pasi një ambulancë që transportonte një grua me këmbë të thyer u bllokua nga shembja.
Gruaja po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit, ndërsa stafi mjekësor ka ndëhyrë duke e nxjerrë me barrelë nga ambulanca dhe duke e kaluar në anën tjetër të rrugës përmes lumit pranë aksit, për të vazhduar transportin dhe për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.
