Policia ka reaguar në lidhje me bllokimin e aksit Përrenjas-Librazhd, që mbeti prej më rreth 8 orësh i bllokuar. Në një njoftim për mediat blutë bëjnë me dije se qarkullimi është i lirë në të dy kahet, ndërsa ka bërë apel për drejtuesit e mjeteve për kujdes gjatë qarkullimit, qëndrimin në radhë dhe respektimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.

Por makthi nuk mbaron me kaq. Trafiku kilometrik i automjeteve, si rezultat i bllokimit 8 orësh paralizoi çdo lëvizje, nuk pritet të normalizohet shpejt. Radha e makinave vijon deri në Elbasan, duke bërë edhe lëvizja drejt Librazhdit e anasjelltas, të jetë një sfidë më vete.

Njoftimi:

Në vijim të informacionit të dhënë për bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor “Librazhd – Qafë Thanë”, në vendin e quajtur Dragostunjë, ju njoftojmë se aktualisht rruga është hapur dhe qarkullimi i automjeteve vijon normalisht në të dyja kahet e lëvizjes.

Shërbimet e Policisë Rrugore, patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat janë prezente në të gjithë gjatësinë e aksit, me qëllim monitorimin e lëvizjes së lirë të automjeteve.

Për shkak të fluksit të shtuar, Policia Rrugore e Elbasanit apelon për kujdes gjatë qarkullimit, qëndrimin në radhë dhe respektimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në rast nevoje, apo për të denoncuar shkeljet e rregullave të qarkullimit që sjellin për pasojë ngadalësim apo bllokim të lëvizjes, telefononi në 112 dhe kontaktoni shërbimet e Policisë që janë në detyrë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb