Erald Kapri ka reaguar në lidhje me situatën ku u gjendën sot mijëra qytetarë, të cilët për rreth 8 orë u bllokuan në aksin kombëtar Prrenjas-Librazhd, pas rrëshqitjes së gurëve dhe shkëmbinjve nga mali në zonë e njohur si Kthesat e Dragostunjës. Shkak për shembjen e masivit gjigant të gurëve e dherave u bënë punimet në kodër në kuadër të Korridorit VIII.
Në një postim në rrjetet sociale, Kapri shkruan se Kompania ANK sh.p.k e ish-deputetit socialist Ndue Kola mori 20 mln euro për zgjerimin e rrugës, ndërsa në total për aksin Elbasan–Qafë Thanë janë shpenzuar 80 milionë euro, vetëm që kjo e fundit të shembet në shiun e parë.
Ai ka renditur edhe disa rrugë dhe tunele të dëmtuara që sipas tij tregon se qëllimi i kësaj qeveri nuk është të ndërtojë infrastrukturë të sigurt, por që të ndaj tenderat me kompani afër pushtetit.
Postimi i plotë:
Kanë kaluar shtatë orë dhe mijëra qytetarë vijojnë të jenë të bllokuar në aksin Librazhd–Elbasan.
Të sëmurët janë detyruar të kalojnë me barrela.
Në këtë segment të shkurtër janë dhënë 20 milionë euro kompanisë ANK, në pronësi të ish-deputetit socialist Ndue Kola, për zgjerimin e aksit.
Në total, për Elbasan–Qafë Thanë janë shpenzuar 80 milionë euro.
Çfarë ndodhi?
U shemb me shiun e parë.
Ky nuk është rast i izoluar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me aksin Qukës–Qafë Plloçë, ku pavarësisht se u shpenzuan 6 milionë euro për kilometër, rruga u shemb. Pikëpyetje serioze ka edhe për tunelin e Llogarasë dhe tunelin e Murrizit.
Pas vitit 2013, nuk kemi asnjë kompani perëndimore që të ketë ardhur në Shqipëri dhe të ketë fituar një tender për ndërtimin e rrugëve. Arsyeja është e qartë; qeveria ka ndërtuar kritere të tilla që tenderat t’i fitojnë kompani të afërta me pushtetin, për të ndarë fitimet.
Këta nuk kanë interes të ndërtojnë rrugë me standarde apo rrugë të sigurta. Interesi i tyre i vetëm është të përfitojnë sa më shumë para nga tenderat.
Dhe kush i vuan pasojat e gjithë këtyre aferave korruptive?
Qytetarët, që edhe sot vijojnë të presin të bllokuar për të kaluar rrugën.
