Duke filluar nga ora 9:00 e mëngjesit sipas orës lokale, autoritetet e Romës do të fusin në fuqi një biletë prej dy eurosh për turistët që dëshirojnë të vizitojnë dhe të admirojnë nga afër Shatërvanin historik të Trevit, një nga monumentet më të njohura të kryeqytetit italian.
Bileta do të jetë e detyrueshme për vizitorët vendas dhe të huaj dhe do të vlejë për zonën kryesore përballë shatërvanit, ku zakonisht turistët bëjnë fotografi dhe hedhin monedhën tradicionale për fat të mirë. Vendimi është marrë nga bashkia e Romës si pjesë e masave për menaxhimin e fluksit të lartë turistik.
Nga pagesa përjashtohen qytetarët e lindur në Romë, fëmijët deri në gjashtë vjeç, personat me aftësi të kufizuara si dhe guidat turistike. Turistët do të mund ta paguajnë biletën në vend me kartë bankare, në dyqane të autorizuara ose përmes rezervimit online.
Sipas autoriteteve lokale, qëllimi i kësaj mase është të kufizojë turizmin e tepërt në këtë atraksion historik, i cili deri më tani ka pritur mesatarisht rreth 30 mijë vizitorë në ditë. Përveç menaxhimit të fluksit, bashkia synon të mbledhë rreth 8.5 milionë euro në vit, fonde që do të përdoren ekskluzivisht për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Romës.
Pas orës 22:00, hyrja pranë Shatërvanit të Trevit do të jetë falas për të gjithë vizitorët.
“Qyteti ynë është pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit dhe qëllimi ynë është të garantojmë ruajtjen e tij, duke rritur njëkohësisht aksesin dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me kulturën e pasur të Romës”, deklaroi kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri.
