Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, duke deklaruar se përpjekjet e tij për të shkuar sërish në Këshillin Europian janë të destinuara të dështojnë.
Sipas Berishës, Rama nuk përfaqëson vlerat europiane dhe, siç u shpreh ai, “aty nuk ka vend për narkodiktatorë dhe për kryeministra hajdutë”. Ai shtoi se shanset e Ramës për t’u paraqitur në atë forum janë minimale dhe paralajmëroi protesta të shqiptarëve në Evropë në rast se kjo ndodh.
“Nëse ky synon të shkojë në atë seli, shqiptarët e Francës dhe Gjermanisë do t’i ketë përballë. Do të organizohet një nga protestat më të fuqishme, sepse e meriton”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu mazhorancën se po mbron interesa kriminale, duke përmendur deputetë që, sipas tij, kanë “mandate krimi”. Ai deklaroi se opozita po akuzohet padrejtësisht për “nxirje të Shqipërisë”, ndërsa në realitet, sipas Berishës, po mbrohet dinjiteti i qytetarëve.
“Thonë se unë nxij Shqipërinë sepse them të vërtetat dhe mbroj dinjitetin e shqiptarëve që nuk kanë lidhje me këta hajdutë, ndërsa ata mbrojnë krimet e tyre”, tha ai.
