Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të Grupit Parlamentar të PD-së, iu rikthye akuzave ndaj Ergys Agasit, të cilin e cilësoi si “Rama”, duke pretenduar se ai jep urdhra dhe merr vendime sikur të ishte në krye të qeverisë.
Në deklaratën e tij, Berisha tha se Agasi, pavarësisht se është shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku akuzohet për veprimtari si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, vijon të lëvizë i lirë. Sipas kryedemokratit, kjo ndodh për shkak se ai, sipas tij, mbrohet nga drejtori i Policisë, Ilir Proda.
Berisha e përshkroi Agasin si një person me pushtet të madh, duke pretenduar se ai përdorte oficerë policie për ekzekutime në mes të sheshit të Aeroportit të Tiranës dhe se urdhëronte Suel Çelën që ndaj personave të marrë peng të ushtrohej dhunë, me qëllim që ata të hiqnin dorë nga pjesëmarrja në tendera.
“Koha është e qytetarëve. Ndaj përparësia absolute për çdo orë të ditës tuaj ka takimin me qytetarët dhe organizimi sa më i fuqishëm i protestës së datës 10. Llojshmëria e saj, kuptohet që është rruga e vetme, janë me qindra qytetarë që më thonë se nuk duam të largohemi nga bulevardi pa larguar Ramën. Ne drejt asaj do të shkojmë në mënyrë të sigurt, ndaj edhe ky moment duhet të jetë cështje e diskutimit tonë të gjerë me qytetarët.
Galeria e Ergys Agasit është galeria më e shëmtuar e shtetit. Ajo do të hyjë në histori si dëshmia më e tmerrshme e degradimit e degjenerimit total të organizatës kriminale që quhet Rilindje. Kjo vetëm se Agasi ishte Rama, jo për arsye tjetër. Ishte Rama, Rama që vriste pam pam pam. Që përdorte oficerët e policisë për të ekzekutuar në mes të sheshit të Aeroportit të Tiranës, që urdhëronte te Suel Çela pengjet e marra për t’u thyer kockat që të hiqnin dorë nga tenderat.
Ishte Rama që bën që të jetë i lirë sot, Ergys Agasi kalon nga një kafe në tjetrën dhe jep urdhra njëlloj si më parë. Përcakton dhe merr vendime se është Rama. Atë e mbron Ergysi i policisë që quhet Proda, përfaqësues kryesor i karteleve.“, u shpreh Berisha.
