Në një deklaratë për mediat, zv.presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësimin për pagat e ulëta të mësuesve. Gjatë fjalës së saj Xhixho tha se mësuesit përveçse janë më të keqpaguarit në rajon dhe Europë, janë edhe më të mashtruarit.
“Vendimi për rritjen historike të pagave të mësuesve të sistemit parauniversitar, siç na e përshkroi kryeministri në qershor të vitit 2024, rezultoi jo vetëm mashtrim, por 11 172 mësues shqiptarë janë përballur me uljen e pages”, tha Xhixho.
Reagimi i plotë:
Sikur të mos mjaftonte fakti që mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon dhe në Europë, ata janë sot edhe më të mashtruarit. Vendimi për rritjen historike të pagave të mësuesve të sistemit parauniversitar, siç na e përshkroi kryeministri në qershor të vitit 2024, rezultoi jo vetëm mashtrim, por 11 172 mësues shqiptarë janë përballur me uljen e pagës.
VKM nr. 425 e datës 26.06.2024 i ka penalizuar ata duke u ulur pagën nga 2 mijë deri në 6 mijë lekë të reja. Këtyre mësuesve u është shkelur e drejta e fituar dhe ndihen të diskriminuar në trajtimin me pagë përkundrejt të njëjtës punë krahasuar me kolegët e tyre gjatë ushtrimit të profesionit. Kjo VKM dhe në mënyrë të veçantë Lidhja nr.4, e cila përcakton shtesën e nivelit të kualifikimit, cenon disa të drejta të punonjësve të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin e Punës dhe Kontratën Kolektive.
Konkretisht:
Për 1515 mësues të arsimit fillor, paga e grupit nga 14 000 lekë është ulur në 10 000 lekë.
Për 4646 mësues me diplomë master profesional, paga e grupit është ulur nga 14 000 lekë në 12 000 lekë.
Për 240 mësues me diplomë “master i shkencave” ose “masterprofesional”, paga e grupit është ulur nga 14 000 lekë në 10 000 lekë.
Për 360 mësues në arsim fillor, arsim i mesëm i ulët dhe arsim i mesëm i lartë me shkollë të mesme pedagogjike, paga e grupit është ulur nga 14 000 lekë në 80 000 lekë.
Për 4411 mësues të arsimit parashkollor, paga e grupit nga 14 000 lekë është ulur në 10 000 lekë. Këtu përfshihen edhe mësues të klasave përgatitore në arsimin e mesëm të ulët, të cilëve paga e grupit nga 14 000 u është ulur në 10 000 lekë.
Mësuesit e prekur janë trajtuar për vite me radhë në mënyrë të barabartë dhe në përputhje me ligjin, ndërsa ndryshimi i njëanshëm i kësaj trajtese përkeqëson kushtet e tyre të punës dhe cenon paga të fituara ligjërisht. Çdo ndërhyrje që sjell pasoja negative mbi të drejtat e punonjësve përbën diskriminim dhe krijon pasiguri juridike në sistemin arsimor.
Në një kohë kur vendit i duhen mësues më shumë se asnjëherë tjetër, pasi shkollat kanë mungesë të theksuar të stafit pedagogjik, për një pjesë të madhe të tyre paga jo vetëm që nuk u rrit, por u ul, duke e kthyer premtimin në mashtrim dhe duke minuar besimin e punonjësve të arsimit ndaj institucioneve shtetërore.
Situata bëhet edhe më alarmante në një kontekst ku arsimi mbetet i nënfinancuar, me më pak se 2.29% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në vend që të investojë në arsim dhe në njerëzit që mbajnë në këmbë sistemin, qeveria merr vendime që ulin realisht të ardhurat dhe dëmtojnë motivimin e mësuesve.
Pasojat e kësaj politike të dështuar po reflektohen drejtpërdrejt edhe në shpopullimin masiv të vendit. Vetëm këtë vit, arsimi parauniversitar ka 17 mijë nxënës më pak, ndërsa në 5 vitet e fundit janë humbur mbi 115 mijë nxënës. Zbrazja e shkollave është e frikshme dhe është pasqyra më e qartë e dështimit të politikave arsimore, sociale dhe ekonomike të kësaj qeverie.
Shkollat po mbyllen, klasat po boshatisen dhe mësuesit po detyrohen të largohen nga sistemi ose nga vendi, ndërsa qeveria vazhdon të injorojë realitetin dhe të mos marrë asnjë masë serioze për ta ndalur këtë hemorragji njerëzore.
Duke reflektuar shqetësimin e qindra mësuesve dhe të Sindikatës së Bashkuar të Mësuesve, i jam drejtuar Kuvendit me një kërkesë për një seancë pyetje-përgjigje me Ministren e Arsimit. Në mbështetje të kërkesave të tyre të drejta, sindikatat dhe punonjësit e arsimit kërkojnë rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe hapjen e një dialogu institucional serioz, që garanton trajtim të barabartë, respektim të të drejtave të fituara dhe dinjitet për mësuesit.
Hapi i parë për këtë është një ballafaqim i hapur me Ministren e Arsimit, e cila duhet t’i japë përgjigje pyetjes:
Si e shpjegon Ministria e Arsimit faktin që, pas premtimeve për rritje pagash, mbi 11 mijë mësues sot paguhen më pak, ndërsa arsimi vijon të jetë i nënfinancuar dhe shkollat po zbrazen çdo vit e më shumë?
Cilat janë masat që do të marrë Ministria e Arsimit për të korrigjuar këtë vendim diskriminues në pagë të 11 172 punonjësve mësimorë, për të garantuar trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të fituara të mësuesve?
Ne kemi nevojë sot më shumë se kurrë për mësues. Me ritmin aktual, kolapsi i sistemit arsimor nuk është larg. Dhe këtë kolaps nuk mund ta shmangim nëse vijojmë t’i mbajmë mësuesit të papaguar dhe të demotivuar. Arsimi është sot urgjencë kombëtare dhe qeveria duhet të mbajë përgjegjësi!
