Shumë rikthime dhe një ndeshje plot emocione u zhvillua në Durrës. “Panorama Sport” ju sjell disa nga momentet më pikante të duel it mes Teutës dhe Vllaznisë.
-Në qendër të vëmendjes ishte rikthimi në Durrës i trajnerit Martini, i cili ka kaluar jo pak kohë te ky ekip, ku ka fituar edhe trofe. Por ai nuk ishte i vetmi rikthim, pasi edhe lojtarë si Kallaku, Kuros, Gjini, Qato dhe Hakaj kanë qenë në të kaluarën pjesë e “bluve”.
-Atmosferë e bukur në stadiumin “Niko Dovana”, ku tifozëria “Djemtë e Detit” krijoi një dekor fantastik dhe i dha ngjyra tribunave për të pranishmit.
-Debutim te Vllaznia pati Dodaj, i cili u aktivizua pasi Klinti Qato u detyrua të largohej nga loja për shkak dëmtimi. Megjithatë, Dodaj u zëvendësua në minutat e fundit të ndeshjes. -Te Teuta debutoi Kolaj, i cili la një përshtypje të mirë në minutat që u aktivizua. “Gurë, gurë, qëndro aty me Bocin”, dëgjohej trajneri Martini duke i dhënë udhëzime Gurishtës, ndërsa lojtari ia konfirmonte me dorë.
-“Hajde, përgjon se ja del edhe pak”, dëgjohej Dobi nga pankina duke i bërë thirrje mbrojtësit. -Në minutën e 92-të ka probleme me ndriçimin në stadium, pasi jo të gjithë projektorët janë të ndezur plotësisht, por gjyqtari vazhdon ndeshjen. -Plas në Durrës. Gjatë lojës tentohet përplasje mes tifozerive që janë ngjitur. Ka gurë e fishekzjarrë, ndërsa një pjesë e tifozëve durrsakë futen në pistë dhe nga krashia kërkojnë të shkojnë e të zihen me tifozët shkodranë në cepin tjetër të stadiumit.
-Ndeshja mes Teutës dhe Vllaznisë ka qenë shumë e tensionuar, me tifozeritë e dy skuadrave në Durrës që nuk kanë kursyer ofendimet ndaj njëra-tjetrës që në startin e duelit. Ndaj në fund, në vërshëllimën e gjyqtarit për mbylljen e takimit, në momentin e festimeve të shkodranëve kishte edhe pak tension në fushë.
Gjithçka nisi me mënyrën e festimit të Gurishtës para pankinës së Teutës, që solli tension në tribuna e një kacafytje në fushën e lojës mes ekipeve. Për fat, situata u qetësua shpejt dhe shkodranët u drejtuan nga tribuna ku ishin vendosur ultrasit e tyre, duke festuar suksesin që i dha mundësinë të shkëputen të vetëm në kreun e renditjes.
-Pas përfundimit të ndeshjes pati festë te tifozëria dhe lojtarët e Vllaznisë, të cilët festuan të gjithë së bashku fitoren e pestë rresht.
