Kreu i partisë Demokratike Sali Berisha në “Foltoren” para kryeministrisë i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht kundër regjimit dhe korrupsionit.

Berisha u shpreh beteja për dinjitetin vazhdon dhe se nuk do të ndalet, Gjithashtu akuzoi kryeministrin Rama se ka kthyer Shqipërinë, ‘në portën kryesore të trafikut të drogës’. Më tej nënvizoi se në protesta do të dalin deri në fitore.

“Ju përfaqësoni guximin, kurajën, vendosmërinë. I përshëndes të gjithë ata shqiptarë që lebetitën një regjim antishqiptar, një regjim armik të kombit. Me protestën e tyre dërguan në të katër anët e botës, mesazhin e qytetarëve shqiptarë që nuk pajtohen kurrë me një regjim që i plaçkit çdo ditë. Nuk pajtohen me regjimin që e ka shndërruar Shqipërinë në portën kryesore të helmeve të drogës. Kjo betejë është për dinjitetin tonë, dinjitetin kombëtar”, tha Berisha, duke shtuar: “Nuk e kemi të lehtë, por jemi të vendosur. Ne do të luftojmë këtu do bëjmë gjithçka të përmbysim këtë të keqe dhe për t’i kthyer ëndrrën shqiptarëve”.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Miq, zëri ynë ka tronditur në themel këtë regjim. Edi Rama sot është më i diskredituar se kurrë.
Ndaj dhe le të bashkohemi ne. Ftoj çdo shqiptar që beson tek Shqipëria, që beson se vendi është vend me pasuri mahnitëse.
Që beson se Shqipëria në kilometrat e saj, ka më shumë paraardhës tanë të rënë se ç’ka çdo vend tjetër mbi tokë.
Që beson se Shqipëria mund të bëhet më e begatë, më e bukur, më e lirë se çdo vend tjetër. Ndaj dhe 10 shkurti është dita tjetër e kryengritjes tonë paqësore.
10 shkurt shqiptarët në të katër anët ftohen në rrugët dhe sheshet e Tiranës.
Qytetarët e Tiranës janë të ftuar të zbresin në shesh për t’i thënë leksionin e merituar këtij regjimi antishqiptar. Miqtë e mi, sot Edi Rama nxin siç nxinte dikur diktatori gjakatar i Enver Hoxhës, ky është diktatori i drogës i shqiptarëve.
Ndaj dhe shqiptarët duhet t’i rezervojnë të njëjtin fatin që i rezervuan diktatorit gjakësor. Edi Rama nuk ka alternativë tjetër përveçse të japë dorëheqjen.
Ja ku i themi këtu, ti që fshihesh pas Lubisë, je i pashpresë sepse edhe Lubia, edhe ti do të shkoni atje ku e keni vendin.
Sovrani për zverku do t’u kapë ju. Thirrja ime është për të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, kombi sot ka nevojë më shumë se kurrë për ju.
Ka nevojë më shumë se kurrë për guximin dhe trimërinë tuaj. Dhe mos harroni se në të gjitha kohërat, në momentet më kritike, kanë qenë të rinjtë dhe të rejat shpëtimtarët e tij. Dhe kjo është arsyeja pse ai sot pret nga ju shpëtimin, pret nga ju fitoren, pret dritën e fitores nga ju dhe zemrat tuaja. Ndaj le të bashkohemi me 10 shkurt për t’i dhënë mësimin e merituar narkokracisë së Tiranës. Për të përcjellë në Shqipëri dhe në mbarë botën mesazhin e fitores, mesazhin e triumfit tonë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb