Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi do të paraqiten të martën në Apelin e Posaçëm për masë.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila i caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimeve për skandalin me tenderat publikë.
Të njëjtin hap ka ndjekur edhe zëvendësdrejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, e cila ndodhet nën të njëjtën masë sigurie. Të dyja kërkojnë ndryshimin e masës, duke pretenduar se ajo është e pajustifikuar.
Në Apelin e Posaçëm janë ankuar gjithashtu edhe persona të tjerë të përfshirë në dosje, mes tyre zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, i pezulluar nga detyra, si dhe biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, ndaj të cilëve është caktuar masa “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë, SPAK ka shpallur në kërkim dy biznesmenë të tjerë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët dyshohet se kanë luajtur rol aktiv në skemën e abuzimeve me procedurat e prokurimit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, të hetuarit kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera, duke i detyruar të tërhiqen nga ankimet për procedurat e tenderimit. Kjo skemë, sipas SPAK, u ka hapur rrugën kompanive të paracaktuara për të fituar kontrata publike me vlera të konsiderueshme.
Më 16 dhjetor, SPAK dhe BKH goditen një grup të dyshuar kriminal, i cili akuzohet se manipulonte tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, përmes pengmarrjes apo dhunës.
Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për tetë persona, përfshi drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zv. drejtoreshën Hava Delibashi të cilat u vendosën në “arrest shtëpie”.
Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu Ergys Agasin, një personazh kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe biznesmenin Ermal Beqiraj për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i struktuaruar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan operacionit të policisë dhe masat e tyre të arrestit me burg mbeten të paekzekutuara.
“Në kuadër të veprimtarisë së “Grupit të strukturuar kriminal”, shtetasit e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve,” thuhet në njoftimin e SPAK.
