Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit, kanë rënë dakord të dëshmojnë përpara Kongresit të Shteteve të Bashkuara në kuadër të hetimit lidhur skandalin Jeffrey Epstein, raporton BBC.
Vendimi vjen vetëm pak ditë përpara një votimi në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili synonte të përcaktonte nëse çifti Clinton do të mbahej penalisht përgjegjës për shpërfillje të Kongresit, pasi për muaj me radhë kishin refuzuar të paraqiteshin përpara Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës.
Bill Clinton ka pranuar më herët se ka pasur njohje me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, por ka mohuar çdo dijeni për aktivitetin e tij kriminal. Ai ka deklaruar se kishte ndërprerë kontaktet me të rreth dy dekada më parë.
Ende nuk është bërë e ditur data e seancave dëgjimore, por kjo do të shënojë herën e parë që një ish-president amerikan dëshmon përpara një komiteti të Kongresit që nga viti 1983, kur dëshmoi ish-presidenti Gerald Ford.
Komiteti i Mbikëqyrjes, i drejtuar nga republikanët, miratoi muajin e kaluar masën për t’i shpallur Clintonët në shpërfillje të Kongresit, me mbështetjen edhe të disa ligjvënësve demokratë.
Të hënën në mbrëmje, zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Urena, konfirmoi përmes një postimi në rrjetin social X se çifti do të paraqitet përpara komitetit hetimor.
