Ekzekutohet vendimi për Laert Hasallën, i cili rezulton i dënuar me 25 vite burg për një vrasje të mbetur në tentativë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se Hasalla dyshohej se kishte porositur vrasjen e Marius Hasallës në vitin 2023 për gjakmarrje.
Nga hetimet e kryera, rezultoi se Laert Hasalla kishte paguar 31-vjeçarin Mariglen Matjani, aktualisht i dënuar, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me qëllim vrasjen e Marius Hasallës.
NJOFTIMI
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Fierit, e cila e dënoi me 25 vite burg, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, shtetasin:
L. H., 34 vjeç, banues në fshatin Garunjas, Lushnjë.
Ky shtetas ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi dyshohej se kishte porositur vrasjen e shtetasit M. H., në vitin 2023.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi L. H. kishte paguar shtetasin M. M., 31 vjeç (aktualisht i dënuar), i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me qëllim vrasjen e shtetasit M. H.
Si pasojë e të shtënave, mbeti e plagosur shtetasja B. S., e cila udhëtonte në të njëjtin automjet me shtetasin M. H.
