Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të takohen të premten në Stamboll, në një përpjekje për të ulur tensionet e larta mes dy vendeve, mes sinjaleve se Teherani mund të jetë i gatshëm të bëjë lëshime të rëndësishme, përfshirë ngrirjen ose pezullimin e programit të tij bërthamor. Sipas New York Times, që citon tre zyrtarë rajonalë dhe një ish-diplomat me njohuri për planin, bisedimet mund të përfshijnë të dërguarin e Presidentit Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, Jared Kushner dhe ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Në takim pritet të marrin pjesë gjithashtu zyrtarë të lartë nga Turqia, Katari dhe Egjipti.

Burimet folën në kushte anonimiteti, duke theksuar se nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment dhe zyrtarët paralajmëruan se plani për bisedimet mund të ndryshojë. Nëse zhvillohen, këto bisedime do të përbëjnë një nga takimet më të rralla të drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe Teheranit, në një moment kur kërcënimet ushtarake të Presidentit Trump dhe refuzimi i Iranit për të pranuar kërkesat amerikane i kanë afruar të dyja palët në prag të një përshkallëzimi serioz.

Në javët e fundit, Trump ka paralajmëruar publikisht për sulme ushtarake ndaj Iranit nëse Teherani nuk pranon të ndërpresë programin bërthamor, të kufizojë arsenalin e raketave balistike dhe të ndalë mbështetjen për milicitë pro-iraniane në rajon. Megjithatë, zyrtarë të lartë iranianë raportojnë se, për të shmangur përshkallëzimin, Irani është i gatshëm të ngrijë ose pezullojë aktivitetet bërthamore, si dhe po shqyrton një propozim amerikan për krijimin e një konsorciumi rajonal të energjisë bërthamore. Sipas burimeve iraniane, Teherani ka sinjalizuar gjithashtu gatishmërinë për të transferuar uraniumin e pasuruar në Rusi, ashtu siç ishte parashikuar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Ndërkohë, zyrtarë nga të dyja palët kanë konfirmuar se ministri Araghchi dhe i dërguari amerikan Witkoff po komunikojnë drejtpërdrejt përmes mesazheve me tekst, një tregues i intensifikimit të përpjekjeve diplomatike. Teherani vijon të këmbëngulë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore. “Ne nuk kemi humbur kurrë një mundësi për të mbrojtur të drejtat e popullit iranian përmes diplomacisë,” deklaroi Araghchi në një mesazh drejtuar zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme. Deri tani, asnjë nga vendet e përmendura nuk ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në takimin e planifikuar në Stamboll.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: