Gjykata Kushtetuese nuk doli as këtë të martë me një vendim lidhur me kërkesën e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar shpalljen antikushtetuese të vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Kjo e fundit ka vendosur më herët pezullimin nga funksionet publike të Belinda Ballukut, si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese nuk merr një vendim për çështjen Balluku. Anëtarët e saj u mblodhën në dhomën e këshillimit për të shqyrtuar disa çështje të parashikuara në kalendar. Pas shqyrtimit të dy çështjeve të planifikuara më herët, në rend dite ishte edhe çështja Balluku, për të vendosur nëse është ose jo kushtetues vendimi i GJKKO-së për pezullimin e saj nga ushtrimi i funksioneve publike.

Burime pranë Gjykatës Kushtetuese bënë me dije se çështja Balluku nuk u diskutua, me arsyetimin se bëhet fjalë për një çështje me rëndësi të veçantë, e cila kërkon interpretim të thelluar dhe për rrjedhojë nuk kishte kohë të mjaftueshme që vendimmarrja të përmbyllej brenda ditës së martë. Për këtë arsye, shqyrtimi i saj është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Sipas ligjit, që nga momenti kur Gjykata Kushtetuese përmbylli seancën plenare publike më 22 janar dhe u tërhoq për vendim, ajo ka në dispozicion 30 ditë për të shpallur verdiktin lidhur me kërkesën e kryeministrit. Rama pretendon se përmes vendimit për pezullimin nga detyra të zonjës Balluku, Gjykata e Posaçme ka ndërhyrë në kompetencat e ekzekutivit, Kuvendit dhe Presidencës, duke e cilësuar këtë si një tentativë për grusht shteti dhe ndërhyrje të gjyqësorit në punët e qeverisë.

Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK argumentojnë se i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Ballukut nga funksionet publike, pasi sipas tyre ekziston rreziku që ajo të prishë provat ose të intimidojë dëshmitarët.

Më herët, prokurorët e SPAK kanë depozituar në Kuvend edhe kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke i hapur rrugë arrestimit të saj. Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje në tenderin 190 milionë euro të Tunelit të Llogarasë, si dhe është nën hetim për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me ndërtimin e loteve të Unazës së Madhe.

PEZULLIMI I BALLUKUT NGA GJKKO
Gjykata e Posaçme vendosi që ta pezullonte Ballukun nga detyra dhe të ndalonte udhëtimin jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën, pasi ajo u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Balluku akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese, ndërsa akuzave u është shtuar edhe shkelje e barazisë me tendera në Unazën e Madhe.

Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar.

Akuzat me të cilat përballet Balluku:

Ndryshe nga më parë, kur numri dy i qeverisë ishte e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe, SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë. E se i duhet leje për ta arrestuar.
“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb