Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta në Kuvend ndaj kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të cilit iu referua si “krimineli Tao”, duke pretenduar se disponon komunikime të zbuluara që, sipas tij, e implikojnë atë në afera të rënda kriminale.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se po rikujtonte, sipas tij, rolin e Taulant Ballës në marrëdhënie të dyshuara me persona të botës së krimit, duke cituar një komunikim të datës 10 shkurt 2020.
“Më lejoni të rikujtoj kush është parafolësi Taulant Balla. Më 10.02.2020, homologu i tij informon se kishin rënë dakord që të mos i kërkonin kriminelit Tao asnjë tender publik apo favor tjetër, përveç atyre që ishin dakordësuar më parë”, deklaroi Berisha nga foltorja e Kuvendit.
Sipas tij, mesazhi i përcjellë i jepte afat deri në muajin dhjetor, ndërsa pretendoi se përgjigjja e Ballës ishte se do të garantonte vota nëse disa emra të caktuar përfshiheshin në lista, pavarësisht se ndodheshin në burg.
“Krimineli Tao pyet nëse garantohej se votat do merreshin nëse vendoseshin në lista personat që përmendeshin. Përgjigjja ishte: po, ne e garantojmë këtë”, tha Berisha.
Më tej, kreu i PD-së pretendoi se Taulant Balla është i përfshirë edhe në afera të tjera të rënda, duke përmendur lidhje të dyshuara me një shtetase të identifikuar si Erjona Daupaj.
Sipas Berishës, në këto komunikime flitet edhe për sekuestrime dhe favorizime, si dhe për ndërhyrje direkte pranë Ballës për çështje të ndryshme. “Këto ditë më pyet: do jetë prapë Balla apo do jesh ti, Vladi? Ok, se flas unë me Ballën”, citoi Berisha nga materialet që ai i quajti të rëndësishme.
