Ish-deputeti demokrat Edmond Spaho ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike lidhur me qëndrimet ndaj Reformës Territoriale dhe asaj Zgjedhore, duke deklaruar se tërheqja nga ideja e bojkotit erdhi pas kundërshtimit të fortë nga një grup deputetësh, të cilët, sipas tij, shmangën pasoja të rënda për PD-në dhe vendin.

Ndryshimi i qëndrimit të PD erdhi pas replikave në mbledhjen e grupit parlamentar mes disa deputetëve të PD dhe lidershipit demokrat, Sali Berisha. 10 ligjvënës të PD kundërshtuan vazhdimin e bojkotit nga i cili partia më e madhe opozitare rrezikonte të humbiste përfaqësimin në komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Territoriale, pas paralajmërimeve të mazhorancës.

Nga ana e tij, Spaho thekson se ky qëndrim dëshmoi se në opozitë ka ende figura me parime dhe përgjegjësi politike.

“Vazhdimi i ideve për bojkot të institucioneve, në kushtet kur PD është dobësuar ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit, tregon qartë se jo vetëm që asgjë nuk ka ndryshuar, por edhe se cilët kanë qenë përgjegjës për braktisjen e reformës territoriale në vitin 2014, djegien e mandateve dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2019”, shkruan Spaho në një reagim në rrjetet sociale.

Reagimi i Spahos
Dje pati dy zhvillime të rëndësishme nga fronti i Partisë Demokratike. Fillimisht, PD deklaroi se bojkoti i reformës territoriale do të diskutohej në Kryesi dhe se më pas do të merrej një vendim për qëndrimin e mëtejshëm. Më vonë, u njoftua se nuk do të ketë bojkot dhe se PD do të vazhdojë të jetë pjesë e reformës territoriale.

Udhëheqja e PD-së dhe Kryetari u tërhoqën pasi panë se sa shumë deputetë iu kundërvunë bojkotit, i cili do të kishte pasoja të rënda jo vetëm për PD-në, por edhe për vendin.

Deputetët që kundërshtuan dje kanë bërë një shërbim të madh për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë. Ata treguan se në opozitë ka ende njerëz me parime dhe se jo të gjithë janë të interesuar vetëm për karrige.

Shumica e atyre që kundërshtuan vijnë nga Rithemelimi, çka tregon se kjo lëvizje nisi si një përpjekje për transformimin e PD-së në një parti me rregulla, parime, program dhe meritokraci. Fatkeqësisht, këto parime u lanë rrugës për shkak të drejtuesve, të cilët zgjodhën interesa të tjera mbi ato të PD-së dhe të shoqërisë.

Të flasësh hapur në PD, ndryshe nga sa predikon udhëheqja dhe Kryetari, është një akt vetëflijimi politik. Kush ka folur është përjashtuar nga studiot televizive ose është vetëpërjashtuar. Këtë e them me bindje personale, pasi jam përjashtuar nga PD në tetor 2021, kur ndoqa me vendosmëri Rithemelimin, si dhe jam shkarkuar nga detyra e Drejtuesit Politik të Korçës pa asnjë shpjegim, në prag të zgjedhjeve të vitit 2025.

Vazhdimi i ideve për bojkot të institucioneve, në kushtet kur PD është dobësuar ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit, tregon qartë se jo vetëm që asgjë nuk ka ndryshuar, por edhe se cilët kanë qenë përgjegjës për braktisjen e reformës territoriale në vitin 2014, djegien e mandateve dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhjet vendore të vitit 2019.

I theksoj këto për të evidentuar edhe një herë shërbimin e madh që ata 10 deputetë i kanë bërë Partisë Demokratike dhe shoqërisë. Uroj që ky veprim të kthehet në një qëndrim të qëndrueshëm, derisa PD të rikthehet në një forcë reale për të rrëzuar Edi Ramën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb