Karlos Alkaraz, kampi oni i sapokurorëzuar i “Australian Open 2026”, një ditë pas suksesit shfaqet i veshur me një kostum “Louis Vuitton”. Të hënën ai mori pjesë në sesionin fotografik me trofeun “Norman Brookes” në Pallatin Mbretëror të Ekspozitave në Melburn.
Më pas, pasi u kthye në ambientet e tij në hotelin “Crown Towers”, dha një intervistë për gazetën “MARCA”, duke bërë një bilanc të karrierës së tij të jashtëzakonshme, e cila e ka çuar të thyejë disa rekorde historike në lidhje me moshën e re të triumfeve.
Sa orë keni arritur të flini natën pas fitores në Melburn dhe a keni fjetur me trofeun pranë? Trofeun ia lashë babait dhe xhaxhait tim, sepse ata mund të kujdesen më mirë për të tani. Nuk fjeta shumë. Me gjithë adrenalinën e ndeshjes dhe të turneut është e vështirë të flesh. Do të doja të kishte pasur kohë për festë, por nuk pati. U ktheva në dhomë rreth orës dy e gjysmë të mëngjesit pa ngrënë darkë. Porosita diçka për të ngrënë dhe qëndrova me vëllain dhe disa miq duke luajtur një lojë. Fjeta rreth orës katër e gjysmë. Të hënën në mëngjes kisha shumë angazhime, ndaj nuk pushova shumë. Për fat të mirë kam një fluturim përpara dhe aty do të pushoj.
Pas finales, menduat për ata që dyshonin se do të bënit një rezultat të mirë në Australi? Sa e ndjenit që kishte njerëz që prisnin dështimin tuaj? Kur erdha në turne nuk mendoja për ta. Por sigurisht që pashë komente dhe opinione të ndryshme. Si kritikat, ashtu edhe lavdërimet janë të mirëpritura, mjafton t’i marrësh në mënyrën e duhur. Pasi fitova titullin, më erdhën në mendje ata që thoshin se nuk do t’ia dilja, se ky turne do të më dëmtonte, se nuk do të luaja tenis të mirë, apo që prisnin të humbisja shpejt për të më kritikuar. I kujtova në atë moment, por jo për të provuar diçka. E bëra për veten time.
Thoni se kohët e fundit keni mësuar të shijoni momentin dhe statusin tuaj si tenist. A është e mundur kjo me një kalendar kaq të ngjeshur? Kështu është tenisi, turne pas turneu, pa pushim, dhe është e vështirë të reflektosh për atë që ke arritur. Dy javët në Melburn kanë qenë shumë intensive, plot emocione dhe shumë të lodhshme mendërisht. Tani duhet të rikuperojmë sa më mirë për të vazhduar konkurrimin. Për momentin dua të ndalem, të kthehem në shtëpi, të pushoj dhe të shoh si reagon trupi dhe mendja në ditët në vijim.
Novak Xhokoviç, rivali juaj në finale, është 38 vjeç. E imagjinoni veten duke luajtur në atë nivel në të njëjtën moshë? Nuk mendoj për këtë tani. Do të ishte fantastike të arrija në atë moshë duke sfiduar një brez të ri tenistësh dhe duke luajtur finale Grand Slam.
Sipas prioriteteve për pjesën e mbetur të sezonit, ku i vendosni “Roland Garros”, “ATP Finals” dhe “Kupën Davis”? “Roland Garros”-i do të jetë gjithmonë shumë i rëndësishëm. Është e vështirë t’i renditësh këto tre, sepse kam fituar dy herë në Paris, por kurrë nuk mjafton. Ndërkohë, “Kupën Davis” dhe “ATP Finals” nuk i kam fituar ende. Të tre janë objektiva të qarta. Dua të arrij gjëra të reja, por nuk mund të bëj një renditje të asaj që dua më shumë.
A ju bën titulli i “Australian Open” veçanërisht të lumtur për shkak të Samuel Lopezit? E di shumë mirë se çfarë është i aftë të bëjë Samueli. E di sa shumë ka punuar gjithë jetën e tij. Është një mësues shumë i mirë tenisi. Kur e dëgjoj duke folur me babain tim për kohën kur ata luanin, kupton pasionin e jashtëzakonshëm që kanë për tenisin. Të kem këtu babain dhe Samuelin më emocionon shumë.
Keni thënë se vëllai juaj Alvaro do të ketë më shumë rol. A keni folur kur do të debutojë si trajner i dytë? Ende nuk e dimë saktësisht se në cilat turne do të jetë ai apo kur do të udhëtojë vetëm pa Samuelin. Ajo që është e sigurt është se Samu do të udhëtojë në rreth 80% të rasteve ose edhe më shumë, sidomos në turnet më të rëndësishëm. Në disa raste vëllai im do të udhëtojë vetëm. Por siç më tha dikur dikush: “Planet janë bërë për t’u ndryshuar”.
A do t’ju presin sërish flokët “duart magjike” të vëllait tuaj të madh? Kurrë mos thuaj kurrë. Ka ndodhur edhe më parë, si para “US Open”-it, që ai të marrë makinën e qethjes. I besoj vëllait tim 100%, edhe nëse ndonjëherë më bën ndonjë dëmtim. Gjithmonë është i mirëpritur dhe me buzëqeshje.
U takuat me Rafael Nadalin në “Rod Laver Arena” pas finales. Çfarë ju tha? Më uroi dhe folëm pak për ndeshjen. Për fillimin shumë të mirë të Novakut dhe sa e vështirë ishte. I thashë se taktikisht e nisa ndeshjen në një mënyrë që nuk funksionoi, duke luajtur shumë drejt, dhe ai më tha se edhe ai e kishte vënë re. Folëm pak, sepse të dy kishim angazhime. Ishte një moment shumë i veçantë të përqafohesha me Rafën me trofeun në dorë.
Thoni se për t’u konsideruar legjendë duhet t’u transmetoni tifozëve diçka ndryshe. A nuk po e bëni tashmë këtë? Besoj se po, ose të paktën kështu kam dëgjuar. Ne përpiqemi t’u japim njerëzve diçka që nuk janë mësuar ta shohin. Nuk flas vetëm për tituj apo fitore, por për ta parë tenisin ndryshe. Ka njerëz që mërziten me tenisin dhe unë përpiqem t’u jap diçka që t’i bëjë të lidhen me të. Kjo është mënyra ime për ta kuptuar dhe shijuar tenisin. Por kjo duhet të vazhdojë për shumë vite që të mund të quhem legjendë.
Jeni numri një më i ri në histori dhe më i riu që ka kompletuar pokerin e turneve Grand Slam, si dhe keni fituar shtatë tituj major. A uleni tashmë në tryezën e “Big Three”? Jo, aspak. Do të mund të them se jam në të njëjtën tryezë me ta vetëm nëse kam një karrierë 20 apo 22-vjeçare dhe fitoj titujt më të rëndësishëm sezon pas sezoni. Po thyej rekorde shumë të bukura, por ajo që kanë arritur ata të tre është pothuajse e pamundur. Duhet të punoj shumë për t’iu afruar, ndoshta edhe për t’i arritur, por për momentin ka ende shumë vite përpara.
Çfarë do të donit të bënit tani, por nuk mundeni? Të udhëtoj. Në shkurt është ende pak ftohtë në shtëpi dhe mua më pëlqen moti i mirë, plazhi, ngrohtësia. Do të doja të udhëtoja me njerëzit e mi, por nuk mundem.
A shqetësohen prindërit se do të përfundoni me më shumë tatuazhe se Serxhio Ramos? Jo, aspak. I zgjedh gjithmonë vende diskrete. Nuk do të bëj tatuazh në fytyrë apo në mes të kofshës. Janë relativisht të vegjël, ndaj alarmi nuk ndizet. Gjithçka është nën kontroll.
