Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi mëngjesin e sotëm Shtëpinë e Bardhë në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në Shtëpinë e Bardhë, Spiropali u prit nga Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump që njëkohësisht mban detyrën e Drejtorit të Lartë për Europën dhe Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Takimi u fokusua në potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes.

Spiropali shkruan në faqet zyrtare se “përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik, SHBA”.

Ministrja theksoi se “bashkë me Drejtorin McLaughlin ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve.”

Spiropali njoftoi gjithashtu se “Shqipëria është e nderuar të jetë në krah të SHBA si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20 pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri.”

Gjatë takimit, Ministrja e Jashtme konfirmoi gatishmërinë e Shqipërisë për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, i cili do të thellojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjitik e zhvillimor.

Postimi i plotë:

Shtëpia e Bardhë – Washington 🇦🇱🇺🇸 | Me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC).

U ndalëm në potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare-Themeluese e Bordit të Paqes. Përfaqësimi nga Kryeministri Rama në këtë iniciativë fisnike të Presidentit Trump, përveçse e ripozicionon Shqipërinë si kontributore aktive në çështjet e sigurisë dhe paqes, i jep një tjetër përmasë bashkë-koordinimit me aleatin tonë historik.

Ndamë bindjen se Bordi i Paqes do të jetë në thelb Bordi i Veprimit, një iniciativë e orientuar nga parimet për zgjidhjen e qëndrueshme të konflikteve.

Shqipëria është e nderuar të jetë gjithashtu në krah të SHBA si anëtare inauguruese e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, në linjë me planin 20 pikësh të Presidentit Trump për Gazën, si një vend që eksporton stabilitet e siguri.

Gjatë takimit konfirmova gatishmërinë tonë për mbajtjen e sesionit të dytë të Dialogut Strategjik, për të thelluar dhe më tej marrëdhëniet tona në të gjithë sektorët me interes të përbashkët ekonomik, tregtar, energjitik e zhvillimor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb