“Shqipërinë e ndryshojnë demokratët”, kështu u shpreh Ervin Salianji në takimin e mbajtur me demokratët në Fier.
Gjatë fjalës së tij ai dha mesazhe të forta duke bërë thirrje për bashkim, duke mos kursyer edhe kritikat ndaj lidershipit të PD, Sali Berisha për të cilin tha se nuk është angazhuar për bashkimin e demokratëve.
“Anëtarësia e PD janë pasuria jonë më e madhe. Janë njerëzit që besojnë ende se Shqipëria mund të bëhet ndryshe. Unë besoj tek gjenerata e re dhe besimi po më shpërblehet. Ata duan garë të ndershme, meritë, dinjitet sepse ndryshimi gjeneracional nuk është biologji, por kulturë politike. Është kalimi nga individët tek parimet nga heshtja tek fjala e lirë. Ne nuk e mundin pushtetin duke pasur frikë nga gara. Ne e fitojmë Shqipëri me hapje ndaj brezit të ri që pret prej vitesh PD. PD duhet të jetë parti e garës, e normave dhe e shpresës sepse vetëm kështu mund të fitojmë besimin e qytetarëve. Ndryshimi është bashkim mbi parime. Ne jemi këtu për ta nderuat PD me kolona e themele më të forta. Jemi për të bashkuar edhe ato demokratë që po përjashtohen nga lidershipi”, tha ai.
