Presidentja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kirsty Coventry, deklaroi se polemikat e lidhura me përfshirjen e planifikuar të forcave të sigurisë amerikane në “Milano Cortina”, si dhe zhvillimet e fundit që lidhen me hetimin Epstein, kanë lënë në hije përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore.

Planet për të angazhuar një degë të shumë kritikuar të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) gjatë Lojërave, të cilat ambasadori amerikan në Romë i përshkroi si rol “këshillimor”, shkaktuan zemërim në Itali javën e kaluar. Ndërkohë, Casey Wasserman, kryetar i Lojërave Olimpike Verore “Los Angeles 2028”, kërkoi falje të shtunën pasi emri i tij u përfshi në dokumente të sapo publikuara që lidhen me hetimin ndaj të ndjerit Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.

Me dy vite ende përpara deri te Lojërat Verore në Los Angeles, çështjet që lidhen me Shtetet e Bashkuara kanë dominuar diskursin publik përpara ceremonisë hapëse të Lojërave Dimërore të premten në Italinë veriore. Zyrtarët e IOC-së, përfshirë presidenten Coventry, u përballën me pyetje të përsëritura mbi këto dy polemika gjatë një konference për shtyp në Milano. Coventry theksoi fillimisht se asnjëra nga këto çështje nuk bie në kompetencat e IOC-së, por pranoi se vëmendja e krijuar rreth tyre është për të ardhur keq. “Mendoj se çdo gjë që e shpërqendron vëmendjen nga këto Lojëra është e trishtueshme”, tha ajo. “Gjatë viteve kemi mësuar se gjithmonë ka pasur diçka që ka dominuar para Lojërave, gjithmonë ka pasur diçka. Por ajo që më mban besimin gjallë është fakti se, sapo të zhvillohet ceremonia hapëse dhe atletët të fillojnë garat, bota papritur kujton magjinë dhe frymën e Lojërave Olimpike”.

Ish-notarja e thelloi më tej këtë mesazh duke shtuar: “Kur ndodh ceremonia hapëse dhe atletët fillojnë të garojnë, bota kujton çfarë është vërtet e rëndësishme, frymëzohet dhe ne mezi presim ta përjetojmë këtë”. Përfshirja e njësisë “Homeland Security Investigations” të ICE-së ka qenë veçanërisht e debatueshme. Ambasadori amerikan në Romë, Tilman J. Fertitta, deklaroi javën e kaluar se agjentët nuk do të patrullojnë, por do të qëndrojnë në një qendër kontrolli në rol këshillimor. Pavarësisht këtyre garancive, qindra protestues u mblodhën të shtunën në Milano për të kundërshtuar praninë e tyre.

E pyetur drejtpërdrejt për masat e sigurisë, Coventry u shpreh: “Nga të gjitha informacionet që kemi dhe nga sqarimet e dhëna nga autoritetet amerikane, ashtu si edhe nga autoritetet e tjera, mendoj se është bërë gjithçka e nevojshme. Nga ana jonë, nuk kemi më çfarë të komentojmë mbi këtë aspekt të sigurisë. Ne mezi presim Lojërat”. Vëmendje ka marrë edhe Casey Wasserman, pasi “email”-e flirtuese të shkëmbyera në vitin 2003 mes tij dhe ish-bashkëpunëtores së Epsteinit, Ghislaine Maxëell, tashmë e dënuar me burg, u përfshinë në një set të ri dokumentesh qeveritare. Wasserman reagoi me një deklaratë ndjese pas publikimit të tyre. Coventry tha se nuk e kishte diskutuar çështjen me të.

“Nuk e diskutuam dhe besoj se zoti Wasserman ka dhënë deklaratën e tij. Nga ana jonë, nuk kemi asgjë tjetër për të shtuar”, tha ajo, duke shtuar më vonë: “Nuk kam qenë në kontakt me të. Fokusi ynë ka qenë tërësisht te ‘Milano Cortina’”. Dy anëtarë të tjerë të IOCsë u përmendën gjithashtu në dokumente, ndonëse nuk ka asnjë sugjerim për sjellje të papërshtatshme nga ana e tyre. Bëhet fjalë për Richard Carrion, bankier nga Porto Riko dhe finalist në zgjedhjet për president të IOC-së në vitin 2013, si dhe Johan Eliasch, president i Federatës Ndërkombëtare të Skive dhe Snoubordit dhe një nga rivalët e Coventryt në votimin e vitit të kaluar. “Në lidhje me anëtarët e IOC-së, ne po ndjekim raportimet mediatike dhe jemi të vetëdijshëm për disa zhvillime të raportuara sot. Na duhet kohë për t’i shqyrtuar dhe për të marrë informacion të detajuar”, u shpreh Coventry. Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina do të zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt.00

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb