Milan bën “djallin” në Bologna, triumfon pastër 0-3 duke ngushtuar diferencën në 5 pikë në raport me Inter. Më shumë se sa beteja për titull, Allegri dhe të besuarit e tij përforcojnë pozitat në zonën Champions, +4 nga Napoli dhe +5 nga Juve. Kjo ishte një mbrëmje ku kuqezinjtë ishin të kolauduar në perfeksion edhe pse Allegri nuk kishte në dispozicion dy yjet e ekipit Leao dhe Pulisic, e nisi ndeshjen me dyshen Loftus-Cheek-Nkunku në sulm.
Mesfushori anglez lëshoi sinjalin e parë që në start duke flirtuar me golin, ndërsa në minutën e 20-të u shërbye pastër në zonë nga Rabiot dhe me një goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë. Në të 39-tën ishte radha e Nkunku, me francezin që fitoi një 11-metërsh dhe po vetë nga pika e bardhë u tregua i saktë duke dyfishuar shifrat. Vendasit ishte e pafuqishme për t’u rikthyer në lojë, bën pak ose aspak për të ngacmuar portën e Milan, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë ishte Rabiot që përfitoi nga një gafe e Bologna-s duke trefishuar shifrat. Rezultati i pastër i dha mundësinë Allegrit të freskonte ekipin, ndërsa Fullkrug dhe pjesa tjetër e fazës ofensive provuan të realizonin sërish, por pa sukses.
Feston për këtë sukses trajneri Allegri, por sërish nuk sheh nga kreu, por nga zona Champions:

“Ishte e rëndësishme të arrinim në kuotën e 50 pikëve pasi objektivi ynë mbetet katër vendet e para. Është më e rëndësishme të shohim pas, kampionati është ende i gjatë dhe janë shumë pikë në lojë për të arritur objektivin tonë, të rikthehemi në Champions”, u shpreh Allegri. “Çfarë djalli. Milan shkatërron Bologna-n, qëndron -5 nga Inter”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë.
