Në debatin e ashpër mes kryeministrit të vendit dhe gjyqtarëve, për çështjen e pagave që po zhvillohet në prag të një vendimi të gjykatës Kushtetuese, është përfshirë edhe Shoqata e prokurorëve të Shqipërisë.
Përmes një deklaratë zyrtare, shoqata e prokurorëve del në krah të gjyqtarëve dhe thotë se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve.
“Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës”, theksohet në reagim. Sipas shoqatës së prokurorëve, çdo ndryshim ligjor që prek pagat e njerëzve të drejtësisë përbën cënim të garancive kushtetuese. Ndërsa shpresojnë në një vendimmarrje të gjykatës Kushtetuese të pandikuar nga presioni politik.
“Gjykimi kushtetues i iniciuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik”, thekson shoqata e prokurorëve. Gjykata Kushtetuese pritet të dalë me një vendim mbi bazën e bërë nga shoqata kombëtare dhe Unioni I gjyqtarëve lidhur me pagat.
Njoftimi:
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.
Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.
